PDK kërkon rinumërim të votave, thonë se janë bërë parregullsi
Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar një ankesë në PZAP që të ua kthejnë rezultatin me arsyetimin se janë bërë disa parregullsi gjatë numërimit të votave.

Lajme
Ata thonë se në shumicën e vendeve në Kosovë u është vendosur rezultati i subjekteve tjera politike.
Kështu ka thënë për lajmi.net përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Betim Gjoshi.
Gjoshi ka thënë se vetëm kanë kërkuar që t’iu kthehet rezultati, ose me rinumërim të votave ose me procedura tjera.
“Realisht ne kemi bërë një ankesë që të na kthehet rezultati. KQZ-ja rezultatin e formularëve e ka shtypur në 24 rubrika e që kanë qenë 25 subjekte. Në shumicën e vendeve në Kosovë na kanë vendosur rezultatet e subjekteve tjera politike, ne vetëm kemi kërkuar rikthimin e rezultatit, kemi kërkuar me rinumërim ose me procedura tjera, po besoj me rinumërim do të na kthehet rezultati. Në krejt Kosovën është formulari me gabime”, ka thënë Gjoshi.
Aktualisht Partia Demokratike e Kosovës ka marr 167 mijë e 402 vota, ose 21,25 për qind.
Deri më tani Komisioni Qendror Zgjedhor ka numëruar 98,47 për qind të votave. Ndërsa votat me kusht dhe ato të diasporës pritet që të numërohen në ditët në vijim. /Lajmi.net/