PDK kërkon “marrëveshje në pako”
Një marrëveshje në pako për formimin e institucioneve të reja, është oferta që Partia Demokratike e Kosovës ka në plan t'u propozojë partive të interesuara që përfaqësohen në Kuvend.
Lajme
Oferta, sipas burimeve të besueshme të gazetës Tribuna, në rend të parë i drejtohet Lidhjes Demokratike të Kosovës, por nuk përjashtohet që e njëjta t’i drejtohet edhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Qëllimi kryesor i kësaj pakoje të PDK-së, thuhet të jetë dakordimi në mes liderëve politikë për ndarjen e posteve kryesore, atij të kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, zëvendëskryeministrave dhe ministrive, si dhe nëse ka vullnet nga subjektet tjera, të shprehet edhe pretendimi për postin e presidentit, por i cili do të zbatohej pasi që t’i përfundonte mandati presidentes Atifete Jahjaga.
Këtë ofertë, burime nga PDK-ja e pranojnë se kjo parti politike e bën për dy qëllime.
E para, që të provojë të mbledhë ndonjë nga partitë e bllokut rreth vetes.
Dhe, e dyta, nëse nuk ka vullnet nga partitë e Bllokut për koalicion me PDK-në, përfundimisht të shkohet në opsionin e zgjedhjeve.
Megjithatë, këto burime nuk e fshehin që në PDK ka një shqetësim se si do të veprohej në rastin kur presidentja Atifete Jahjaga do t’u jepte edhe partive të VLAN-it mandatin për formimin e qeverisë.