PDK-ja shkon e vetme në balotazhin e Drenasit
PDK-ja në balotazhin e Drenasit ku kandidati i saj Ramiz Lladrovci do të garojë kundër Isa Xhemajlajt të Nismës do të shkojë vetëm dhe pa bashkëpunim me të tjerët.

Lajme
“Kurrkujt s’i kemi bërë kurrfarë oferte. Vetë shkojmë. Vetë i kemi gati 20 për qind ma shumë. Është çështje e tyre kah orientohen”, ka thënë sekretari i PDK-së, Basri Musmurati.
Bashkëpunimet e mundshme nuk i bëri publike as Nisma për Kosovën, edhe pse ky subjekt është i interesuar të marrë mbështetjen e atyre që garuan krahas Lladrovcit e Xhemajlajt.
“Kryetari Limaj së bashku me kandidatin Isa Xhemajlaj kanë autoritetin e plotë që të bisedojnë me partitë të cilat kanë marrë votat për ndryshim, që të ndërtojnë një plan të përbashkët që vullnetin e qytetarëve të Drenasit për ndryshim ta çojnë deri në fund. Besoj që ditëve në vijim do të bëhen publike marrëveshjet eventuale,” tha sekretari i Nismës për Kosovën, Billal Sherifi.
Këtë të diel të pakënaqurit e PDK-së që e krijuan Nismën për Kosovën e kanë çuar për herë të parë Komunën e Drenasit në balotazh zgjedhor.
Në këtë komunë deri tash gjithnjë ka fituar në raundin e parë të zgjedhjeve kandidati i PDK-së, por këtë herë Ramiz Lladrovci më 4 dhjetor mori rreth 44 për qind të votave të atyre që kryen këtë obligim qytetar.
Sekretari i PDK-së, Basri Musmurati e pranon që kjo parti mori më pak vota, por beson në fitore.
“Unë jam i bindur që kemi me fitu, qysh i kemi fitu edhe tash. Është e vërtetë që kemi rënë me vota e më përqindje. Është situatë e re, është krejt normale, por në balotazh, mobilizohen ma shumë njerëzit dhe zakonisht në balotazh kandidatët marrin më shumë vota sesa që ka fitu në raundin e parë,” tha Musmurati.
Me 18 dhjetor qytetarët e Drenasit do t’u kthehen edhe njëherë kutive të votimit për të zgjedhur të parin e komunës së tyre për afro 10 muaj deri sa të mbahen zgjedhjet lokale në të gjitha komunat.
Isa Xhemajlaj nga Nisma dhe Ramiz Lladrovci nga PDK-ja, do të jenë emrat e vetëm në fletëvotimet e 18 dhjetorit.
Edhe pse kandidati i Nismës siguroi balotazhin, kandidati i Iniciativës Qytetare për Drenasin nga e cila u krijua Nisma në këtë komunë, në zgjedhjet e 2013-ës mori më pak vota në Drenas.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit janë thirrur për shkak se ish kryetarit të komunës, Nexhat Demaku, muajin e kaluar Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në një akuzë për krime të luftës.
Në to kishin të drejtë vote rreth 53 mijë qytetarë, ndërsa sipas KQZ-së votuan 40.55 për qind të tyre. /kallxo.com/