PDK i kërkon Rahimajt ta anulojë vendimin për emërimin nënkryetar të njeriut që mbështeti Jabllanoviqin kur i quajti nënat gjakovare “egërsira”

Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar kryetarit të komunës së Kamenicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadri Rahimajt të anulojë vendimin për emërimin e nënkryetarit të Komunës, Dalibor Filipoviqit i cili ka qenë mirëmbajtës teknik në një shkollë fillore dhe e ka mbështetur ish-ministrin Aleksandër Jabllanoviq që i kishte quajtur nënat gjakovare "egërsira"

Lajme

07/05/2022 20:49

Në reagimin e PDK-së thuhet se Filipoviq e ka mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje në raundin e dytë të zgjedhjeve, shkruan lajmi.net.

“Dalibor Filipoviq në disa postime në Facebook e kishte mbështetur ish-ministrin Aleksander Jabllanoviq për fyerjet që i kishte bërë ndaj nënave gjakovare duke thënë se nuk ka qenë gabim nëse i ka quajtur “egërsira”.”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK e Kamenicës thotë se kryetari Rahimaj duhet të kërkojë falje publike para qytetarëve të Kamenicës për këtë veprim.

Ky është reagimi i PDK-së:

PDK kërkon nga Kadri Rahimaj anulimin e vendimit për emërimin e nënkryetarit Dalibor Filipoviq

Pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Kamenicës dhe kryetari Kadri Rahimaj, po shkojnë hapave të njëjtë me të liderit të tyre Albin Kurti sa i përket bashkëpunimit të ngushtë me serbët që kundërshtojnë dhe e luftojnë shtetësinë e Kosovës.

Pa asnjë detyrim ligjor, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, përmes delegatëve të pushtetit e kanë votuar për nënkryetar të Komunës, Dalibor Filipoviqin, i cili deri tani ka punuar si mirëmbajtës teknik në një shkollë fillore.

Filipoviq njihet në Komunën e Kamenicës si mbështetës i Vetëvendosjes në raundin e dytë të zgjedhjeve. Filipoviq po ashtu ka mbështetur në vazhdimësi në rrjete sociale zyrtarët e Listës Serbe që kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës.

Dalibor Filipoviq në disa postime në Facebook e kishte mbështetur ish-ministrin Aleksander Jabllanoviq për fyerjet që i kishte bërë ndaj nënave gjakovare duke thënë se nuk ka qenë gabim nëse i ka quajtur “egërsira”.

Dega e PDK-së në Kamenicë i bënë thirrje kryetarit të Komunës, Kadri Rahimaj, që mos të vazhdoj tutje me procedurat e emërimit të Dalibor Filipoviqit në postin e nënkryetarit.

Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj duhet të kërkoj falje publike para qytetarëve të Kamenicës për këtë veprim. Në të kundërtën, mos kërkimi i faljes nga ana e tij, dëshmon se ky emërim ka ardhur si rezultat i pazareve politike të Vetëvendosjes me grupet politike serbe në Kamenicë. /Lajmi.net/