​PDK fton Prokurorinë e Shtetit që të hetojë shkeljet në Ministrinë e Infrastrukturës

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të hetojë rastet e aferave në Ministrinë e Infrastrukturës. Deputetja Blerta Deliu-Kodra në seancë plenare ka përmendur, siç tha ajo, shkeljet që janë gjetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë ministri. Ajo ka theksuar se raporti flet për parregullsi e afera korruptive.

Lajme

07/07/2022 11:26

Në deklarimin jashtë rendit të ditës, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka folur për gjetjet e auditorit në Ministrinë e Infrastrukturës.

“Tre muaj më parë, PDK përmes një konference të jashtëzakonshme për medie kishte prezantuar 42 kontrata për punë shtesë dhe disa kontrata një-burimore në Ministrinë e Infrastrukturës. Ndërkohë, që tre muaj më pas pretendimet tona për paligjshmëri e dyshime për korrupsion u konfirmuan edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, e cila ka gjetur një mal me parregullsi në këtë ministri e për më keq raporti i saj është i kualifikuar, për të qenë objekt hetimor nga Prokuroria e Shtetit”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se në këtë raport thuhet se janë gjetur mangësi të mëdha në vlerësimin e kompanive konkurruese për tender, në realizimin e shërbimeve jashtë kontratës, tejkalim të pagesave për kontrata publike dhe vonesa në realizimin e projekteve e dallavere të mëdha në shpronësime.

“Auditori i brendshëm i ka kërkuar Ministrisë së Mjedisit që të anulojë tenderin për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës, pasi që aktiviteti i prokurimit është thënë se është i manipuluar, është i kurdisur dhe madje është i koordinuar me operatorin ekonomik që është konstruksion korruptiv me pasoja të mëdha të humbjeve financiare për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Aktiviteti i prokurimit nuk është anuluar ende. Ndërkohë që kemi parë së fundmi që mediat kanë nxjerrë përgjime të cilat shfaqin dyshime për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo ndërlidhet me rrugën Dollc-Gjakovë dhe zyrtari i kompanisë… dëgjohej duke kërkuar ryshfet në lidhje me kryerjen e disa punimeve shtesë”, ka shtuar ajo.

Megjithatë, ajo shtoi se Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se realizimi i këtij projekti është vonuar tejmase. Deliu-Kodra deklaroi se PDK i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë këto raste në Ministrinë e Infrastrukturës.
“Partia Demokratike e Kosovës fton Prokurorinë e Shtetit që të veprojë pa humbur kohë t’i hetojë këto afera dhe këtë ministri. Dhe të zbardh natyrisht të vërtetat që zyrtarët e kësaj qeverie i kanë mohuar, madje të njëjtit nuk i kanë pranuar. Një raport i kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit është bazë kryesore, është bazë e mjaftueshme, e vetme që më në fund Prokuroria të veprojë e kryeministri të merr masa dhe të shkarkojë ministrin Aliu dhe zëvendësministrin Durmishi”, ka përfunduar Deliu-Kodra.

Në rend të ditës është edhe debati parlamentar në lidhje me mosliberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian për Kosovën.