PDK fton partitë për marrëveshje

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti ka deklaruar se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe bën thirrje të arrihet një marrëveshje në mes të liderëve partiakë për formimin e qeverisë së ardhshme.

Lajme

11/11/2014 08:08

Ai ka thënë për “Epoka e Re” se thirrja e vazhdimit të seancës konstituive është në dorën e Flora Brovinës.

“PDK kërkon që spektri politik ose të gjitha grupet parlamentare të ulen dhe të arrijnë marrëveshje për të ardhmen e institucioneve të Kosovës. Pra, arritjen e një marrëveshje e cila do ta zhbllokonte situatën. Ky është qëndrimi ynë, PDK nuk e ka ndryshuar qëndrimin”, ka thënë Haliti.

Haliti ka thënë se është e nevojshme të përfshihet edhe faktori ndërkombëtar për të ndihmuar formimin e institucioneve të reja.

“Ne themi se kemi bërë shumë për Kosovën, por unë dua të them publikisht se edhe faktori ndërkombëtar ka bërë nëse jo sa ne, ka bërë më shumë që ne të shpëtojmë nga dhuna dhe pushtimi serb. Prandaj, në këtë rast Perëndimi duhet të përfshihet, pra duhet të bashkëpunojmë për të ardhmen e përbashkët”, ka thënë Haliti.