PDK e LDK mohojnë takimin Thaçi-Mustafa

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë demantuar lajmet nëpër disa media rreth arritjes së marrëveshjes mes dy liderëve, Hashim Thaçi e Isa Mustafa për formimin e koalicionit qeveritar dhe nxjerrjen e vendit nga kriza.

Lajme

14/11/2014 16:19

Memli Krasniqi, nënkryetar i PDK-së ka thënë se asnjë marrëveshje nuk është arritur me ndonjë parti të Bllokut deri në këto momente, dhe se në Bruksel, ku thuhet të jetë arritur marrëveshja, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës nuk ka pasur kurrfarë takimi.

Thaçi dhe Mustafa ishin të enjten në Bruksel, në një takim të partive popullore, ndërkohë që ishte raportuar nëpër media për mundësinë e takimit edhe atje mes tyre, si përpjekje për të gjetur një zgjidhje për dalje nga kriza.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një njoftimi ka reaguar ndaj lajmit të plasuar nga disa portale se kjo parti ka arritur marrëveshje me PDK-në e Hashim Thaçit, ose se kjo do të arrihet në rast të dështimit të asaj me VLAN-in.

“Pas publikimit të lajmit në disa portale se kinse Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur marrëveshje koalicioni me PDK-në, dëshirojmë të sqarojmë se LDK-ja nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe se nuk ka pasur kurrfarë takimi ndërmjet kryetarit të LDK-së dhe atij të PDK-së”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas komunikatës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në Bruksel ka takuar Joseph Daul, kryetar i EPP-së, si pjesë e takimeve dhe konsultave të rregullta me partitë simotra dhe në kuadër të përgatitjeve për samitin e dhjetorit.

“LDK-ja dëshiron të theksojë se Kryetari Mustafa nuk ka pasur asnjë takim tjetër gjatë qëndrimit të tij në Bruksel”, thuhet në fund të njoftimit.