PDK dënon ashpër aktin kriminal të hedhjes së granatës në ndërtesën komunale në Zveçan

Partia Demokratike e Kosovës ka  dënuar ashpër aktin kriminal të hedhjes së një granate dore në ndërtesën komunale në Zveçan, që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe shkatërroi disa automjete. Sipas PDK së, ky sulm i ulët   ishte një përpjekje e qartë për të frikësuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, dhe ekipin e…

Lajme

29/11/2024 12:53

Partia Demokratike e Kosovës ka  dënuar ashpër aktin kriminal të hedhjes së një granate dore në ndërtesën komunale në Zveçan, që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe shkatërroi disa automjete.

Sipas PDK së, ky sulm i ulët   ishte një përpjekje e qartë për të frikësuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, dhe ekipin e tij, të cilët po punojnë pa u ndalur për të mirën e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

“Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë. Ato kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, minojnë proceset demokratike dhe synojnë destabilizimin e institucioneve tona. Kryetari Ilir Peci përfaqëson angazhimin tonë për një Kosovë më të bashkuar dhe më të mirë, ku të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë. Këto përpjekje duhet të mbështeten, e jo të sabotohen.” thuhet në komunikatën e PDK-së.
PDK u bën thirrje organeve të rendit dhe sistemeve të drejtësisë të hetojnë këtë rast dhe të identifikojnë autorët.
“Ne u bëjmë thirrje organeve të rendit dhe sistemit të drejtësisë që të hetojnë me urgjencë këtë rast, të identifikojnë autorët dhe t’i vënë ata para drejtësisë. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë duhet të mbeten përparësi e lartë, dhe pandëshkueshmëria për akte të tilla nuk mund të tolerohet.
Si PDK, e ripërsërisimin kërkesën tonë ndaj organeve të rendit që t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e Kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Zveçanit.” thuhet tutje në komunikatën e PDK-së