PDK as me Panticin, as me Ivanovicin
PDK nuk mbështet asnjërin nga kandidatët për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Agim Deva, kandidat i PDK’së, thotë se do t’ju lë votuesve të vendosin se cilin kandidat do ta votojnë në balotazh.

Lajme
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të komunës së Veriut të Mitrovicës, Agim Deva, ka thënë se nuk do të përkrahë asnjërin nga kandidatët që garojnë për balotazh.
Në garën për kryetar të Komunës së Veriut të Mitrovicës, në raundin e dytë do të garojnë Krstimir Pantic, kandidati i “Listës Serbe” dhe Oliver Ivanovic. Kandidati, Krstimir Pantic, i cili gëzon mbështetje nga Qeveria e Serbisë, është në vendin e parë me më së shumti vota të fituara.
“Dallimi në mes të këtyre kandidatëve (Pantic dhe Ivanovic), është shumë i ngushtë. I kemi dhënë rastin votuesve që të vendosin për kë të votojnë”, ka thënë Deva për agjencinë serbe Beta.
“Deri më tani, nuk kam biseduar me asnjërin nga kandidatët që do të ballafaqohen në balotazh, lidhur me formimin e shumicës në Kuvendin Komunal të Veriut të Mitrovicës, ku PDK do të jetë një faktor kyç”, ka thënë Deva.