PD proteston sot përpara Parlamentit kundër qeverisë

Partia Demokratike do të zhvillojë sot protestën e radhës. Kjo është protesta e 3 e opozitës brenda një harku kohor prej 2 javësh që prej protestës së 8 dhjetorit përpara kryeministrisë dhe asaj të 17 dhjetorit përpara Parlamentit.

Lajme

21/12/2015 10:20

Edhe sot qytetarë dhe mbështetës së opozitës do të mblidhen në orën 10:00 përpara Parlamentit për të protestuar kundër qeverisë, në të njëjtën kohë kur edhe do të zhvillohet seanca e fundit plenarë për këtë vit.

Protesta e cila do të organizohet sot, fillimisht ishte parashikuar që të zhvillohej si një dubim masiv përpara kryeministrisë, por plani i demokratëve ndryshoi duke e kthyer atë në një protestë kryesisht të rinjsh.

Përfaqësues të kësaj force politike nga selia blu i kanë bërë thirrje të gjithë të rinjve që ti bashkohen protestës së sotme përpara Parlamentit.

Ndërkaq, nga ana e policisë së shtetit janë marrë masat për mbarëvajtjen sa më mirë të protestës.

Kështu duke filluar nga ora 01:00 e mëngjesit të ditës së hënë nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të protestës në rrugët e mëposhtme:

  1. Rruga “George Bush” ( nga Ura e Elbasanit – kryqëzimi tek sheshi “Sulejman Pasha”
  2. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit (nga e Ish Hotel Dajtit deri te kryqëzimi i rrugës “Murat Toptani”
  3. Rruga “Abdi Toptani” ( drejtoria e Burgjeve)
  4. Rrugica prane Infosoft tek ish-PD.

Gjithashtu në këto segmente rrugore, rruga “George Bush” ( nga Ura e Elbasanit – kryqëzimi tek sheshi “Sulejman Pasha” dhe rruga “Abdi Toptani” nuk do te lejohet kalimi i automjeteve duke filluar nga ora 08:00 deri në përfundimin të aktivitetit.

Rruga “Murat Toptani” për arsye sigurie do të jetë e bllokuar për qytetarët dhe protestuesit.

Policia thotë se do të ketë devijim të trafikut në shumë segmente rrugore.