PD po pëson debakël: Mbyllet numërimi në 11 bashki, të gjitha i fiton e Majta

E Djathta shqiptare pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, duket do të pësojë edhe më keq, bazuar në rezultatet e para të zgjedhjeve vendore që u zhvilluan dje.

Lajme

22/06/2015 11:08

Në 11 bashki të vendit ka përfunduar numërimi  kutive të votimit dhe në të gjitha këto bashki kanë dalë fitues kandidatët e koalicionit të majtë.

Himarë 

Së fundmi ka përfunduar numërimi në Himarë ku ka dalë fitues kandidati i ASHE-së, Jorgo Goro.  Goro ka marrë 4747 vota, ndërsa ndjekësi më i afërt i tij Fredi Beleri ka marrë 2335 vota.

“Ishte zgjedhja e qytetarëve, na votuan ne. Ftoj opozitën të bashkëpunojmë për të mirën e himarjotëve”, tha Goro pas përfundimit të procesit të votimit.

Ndërsa kundërshtari i tij, Fredi Beleri u shpreh “Zgjedhjet nuk i prisja në këtë mënyrë, urime Goros”.

Mirditë

Po ashtu procesi i numërimit ka përfunduar edhe në Mirditë ku ka dalë ftues Ndrec Dedaj kandidat i ASHE-së me 55.37%, ndërsa kandidati i APPD, Gjergj Prenga 44.63%.

Libohove 

Së fundi ka përfunduar numërimi i votave për bashkinë Libohovë, ku ka fituar ASHE me 53.65%.

Kandidatja e koalicionit të majtë,  Luiza Mandi  ka kryesuar 53.65%, ndërsa Altin Çomo i APPD-së me 46.35%.

Kolonje

Po ashtu procesi i numërimit ka përfunduar edhe në Kolonjë. Ka kryesuar kandidati i ASHE-së Arben Malo me 4997 vota,, ndërsa Viktor Duro, kandidat i APPD-së, 4076 vota.

Mbyllet procesi i numërimit në 7 bashki, fitues kandidatët e koalicionit të majtë

Kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane kanë arritur të fitojnë në 7 bashkitë e para ku ka përfunduar procesi i numërimit.

Në 4 vitet e ardhshme bashkia e Hasit, Skraparit, Pustecit, Delvinës, Peqinit, Fushë Arrzit dhe Pukës do të drejtohen nga kryetarë të koalicionit të majtë.

Rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm u mbyll procesi i votimit në Bashkinë e Hasit, ku Adem Lala i koalicionit të majtë arriti të fitojë me 4884 vota ose 52.98%, ndërsa kandidati i APPD, Elez Maçi arriti të merrte 4245 vota ose 46.05%. Në garë për këtë bashki ishte edhe kandidati i PSD, Gëzim Ukperaj, i cili mori vetëm 0.97% të votave.

Procesi i numërimi është mbyllur edhe në Skrapar, ku fitues ka rezultuar Nesim Spahiu, i cili mori 84.43%, ndërsa rivali i tij Hajredin Bakjasi 15.57% të votave.

Ndërkohë edhe në Delvinë përfundoi procesi i numërimit dhe Rigels Balili, kandidat i ASHE, tashmë është kryetari i ri i kësaj bashkie, pasi ka marrë 72.8% të votave, ndërsa kandidati i APPD, Dhurim Alinani ka marrë 27.2% të votave. Edhe Bashkia e Peqinit është fituar nga një kandidati i majtë, Saimir Hasalla, i cili arriti të merrte 9020 vota, ndërsa Albert Kreçi kandidati i APPD mori 4284 vota.

Po ashtu edhe bashkia e Fushë Arrzit dhe e Pukës është fituar nga kandidatët e ASHE, por me një diferencë të vogël. Në Pukë Gjon Gjonaj arriti të fitonte me një diferencë vetëm me 97 vota, ndërsa në Fushë Arrëz diferenca ishte vetëm me 66.