PD nuk shprehet kundër shkuarjes në Siri

PD s’sheh asgjë të keqe nga shkuarja në Siri. Thotë se këto janë ‘vërtetim i përsëritur i dëshmive historike për pasurinë e kombit që në gjirin e tij ka pasur personalitete që kanë sakrifikuar edhe jetën e tyre për humanitetin e drejtësinë universale\".

Lajme

26/01/2014 13:29

Partia e Drejtësisë e vlerëson si të pakuptueshëm dhe përçarës e me shumë paragjykime debatin e kohëve të fundit në lidhje me identitetin islam.

Kjo parti reagoi të dielën ndaj debatit në lidhje me identitetin islam të kohëve të fundit që po zhvillohet në vend.

Nënkryetari i kësaj partie, Abdullah Klinaku, në një konferencë shtypi doli, siç u shpreh, për të prezantuar qëndrimin e Partisë së Drejtësisë rreth debateve të fundit për Fenë dhe Kombin.

Sipas tij, është e papranueshme dhe e paqëndrueshme teza se identiteti fetar Islam i shumicës absolute të qytetarëve të vendit është në kundërshtim me interesat kombëtare dhe ato të shtet-ndërtimit të vendit.

Ai tha se partia e tij e sheh si të rrezikshme mënyrën se si disa, që ai i quajti, ‘kauzi-intelektualë’, mundohen “ta anatemojnë identitetin islam të shumicës së popullatës”.

Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net

Sipas tij, Islami si fe nuk mund të identifikohet asnjëherë me politikë ose me radikalizëm.

“Partia e Drejtësisë e vlerëson si tejet të rrezikshme tendencën e konstruktimit të tezave si Islami politik dhe radikalizmi Islam, nëpërmjet të cilave në mënyrë tejet sipërfaqësore dhe naive disa kuazi-intelektual dhe injorantë në fushën e njohurive fetare shumë herë të veshur me petkun e kinse analistëve të zhvillimeve sociale dhe politike mundohen të anatemojnë identitetin islam të shumicës absolute të popullatës së vendit si shkak të ngecjes së vendit në integrimet Europiane dhe më të gjëra ndërkombëtare”.

“Bazuar në të gjitha argumentet shkencore kurrë dhe asnjëherë koncepti i Islamit si fe nuk mund të identifikohet me politikë ose me radikalizëm sepse asnjëherë tërësia nuk mund të identifikohet me pjesën e nëpërmjet gjeneralizimit të veprimeve të pjesshme”.

Klinaku ka thënë se partia e tij e vlerëson shkuarjen e qytetarëve të vendit si pjesëmarrës të luftës në Siri si çështje të vendimit të tyre personal, përveç disa rasteve.

“Ne vlerësojmë shkuarjen e qytetarëve të vendit si pjesëmarrës të luftës në Siri si çështje të vendimit të tyre personal përveç në rastet kur institucionet e autorizuara shtetërore kanë informata të verifikuara për veprim të organizuar dhe sistematik të individëve ose grupeve në vend ose jashtë tij të cilët mbi bazën e agjendave plotësisht të huaja për interesin tonë kombëtar dhe shtetëror duke manipuluar me gjysmë-informata ose informata të rrejshme tentojnë dhe arrijnë që të përvetësojnë ndjenjat e sinqerta fetare të këtyre besimtarëve Islam, qytetar të vendit”.

“Përderisa janë të bazuara në përkushtime individuale, PD i sheh këto veprime si vërtetim të përsëritur të dëshmive historike për pasurinë e kombit tonë që në gjirin e tij gjithmonë ka pasur personalitete të cilët të mbështetur mbi vlera të larta etike kanë përjetuar të sakrifikuar edhe jetën e tyre për humanitetin dhe drejtësinë universale”.

PD u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve, shoqëror dhe politik, pjesëtarë të debatit që të kultivojnë dialog demokratik, të respektojnë të drejtën e mendimit ndryshe nga i tyri, të respektojnë realitetin social, kulturor dhe fetar të vendit.