PD: Njeriun e 750 kg kanabis, Rama e bëri drejtor në Sarandë

Partia Demokratike vijon akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për emërimin e personave me precedent kriminal në poste të rëndësishme të administratës. 

Lajme

18/05/2014 14:10

Deputeti i PD-së, Arben Ristani denoncoi të dielën emërimin e një personi të arrestuar për trafik droge, në postin e drejtorit rajonal të transportit të Sarandës, raporton Balkanweb.

“Emërimi në poste kyçe i personave me precedent të rrezikshëm kriminal, është një nga arsyet pse trafiku i drogës ka lulëzuar në çdo cep të Shqipërisë. Edi Rama ka treguar me të vërtetë vendosmëri në përfshirjen në administratë të këtyre personazheve, që shpesh kanë bërë bujën e kronikës së zezë në vend.

Klemend Balili është arrestuar në korrikun e vitit 2006, me 750 kilogramë kanabis. Aksion i suksesshëm i policisë në atë kohë, pasi i arrestuari dyshohej se drejtonte një klan kriminal në Sarandë e përreth. Sot, Edi Rama, njeriun e 750 kilogramëve kanabis e ka bërë drejtor të Drejtorisë rajonale të transportit në rrethin e Sarandës. Ja pra kush është modeli qeverisës së Edi Ramës. Ja përse droga ka shpërthyer ngado”, deklaroi Ristani.

Sipas tij, “Kryeministri jo vetëm u ka hapur rrugën trafikantëve, por u ka dorëzuar edhe zyrat e rëndësishme të shtetit”.