PD: Kosova e ka merituar të jetë pjesë e UNESCO-s

Partia e Drejtësisë, shprehë zhgënjimin dhe pakënaqësinë e saj lidhur me mos pranimin e Kosovës në UNESCO.

Lajme

11/11/2015 20:31

PD vlerëson se pranimi i Kosovës në UNESCO do të ishte në interes të shumëfish, ngase do të fuqizohej sigurimi i mbrojtjes më të denjë të pasurisë së saj natyrore, historike dhe kulturore, ndërsa UNESCO do të fitonte mbështetje më të fuqishme në ruajtjen e këtyre vlerave nga ana e popullit dhe shtetit të Kosovës.

PD thekson se Kosova është qendër historike e komunikimit të kulturave dhe qytetërimeve.

Përgjatë shekujve populli i Kosovës me xhelozi dhe fanatizëm i ka ruajtur gjurmët e të gjitha kulturave si: Hebreje, Krishtere dhe Islame, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në trojet tona.

Mbështetur në këto fakte të vërteta historike, Kosova e ka merituar që të bëhet pjesë e familjes së madhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s.

Gëzon fakti se në përpjekjen e sajë fisnike për të marrë përgjegjësinë shtetërore në kultivimin e mëtutjeshëm të vlerave sipërpërmendura, Republika e Kosovës, gjeti mbështetjen e shumicës absolute të shteteve të UNESCO-s.

PD-në nuk e befason sjellja agresive dhe primitive e Serbisë, por shpreh keqardhje që një numër i shteteve anëtare të UNESCO-s ranë pre e kësaj propagande kundër shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike të vendit tonë.

Mbetet detyrë e shtetit tonë që të pavërtetat e Serbisë t’i godas me të vërtetat historike të popullit dhe shtetit të Kosovës. Me seriozitetin dhe vëmendjen më të lartë duhet t’i qasemi dialogut të mëtutjeshëm me Serbinë duke jap kontributin tonë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në këtë pjesë të Evropës.

Njëkohësisht PD konsideron se debati i ngutshëm dhe paragjykues i bazuar në argumente politike pas votimit, nuk i kontribuon kauzës kombëtare dhe shtetërore në proceset e integrimeve shtet-ndërtuese dhe për ngritjen e bashkëpunimit ndërkombëtarë.

PD është e bindur se shumë shpejtë, e më së largu deri në takimin e radhës të Këshillit të Përgjithshëm të UNESCO-s, e vërteta historike e Kosovës do të ngadhënjejë dhe Kosova do ta zë vendin e merituar në familjen e madhe të shteteve që janë përkushtuar për ruajtjen e trashëgimisë mbarënjerëzore./lajmi.net