PD kërkon që Meta të mos e drejtojë Këshillin për Frrokun
Partia Demokratike e Shqipërisë i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të përjashtojë Ilir Metën nga e drejta për të kryesuar nesër Këshillin e Mandateve dhe të Rregullores, që do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Mark Frroku (këtë herë për akuzat nga shteti belg).
Lajme
Sipas PD-së, Ilir Meta bie në konflikt të hapur interesi për faktin se Mark Frroku cilësohet si dëshmitar kyç në çështjen aq shumë të përfolur, të ‘atentatit’ Doshi-Meta.
“Tre deputetë të PD-së në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, i kanë dërguar sot një letër Kuvendit, duke i kërkuar që ky këshill ditën e nesërme të mos kryesohet nga Ilir Meta. Nesër ky këshill do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetit Mark Frroku, por është fakt i njohur botërisht se Mark Frroku është dëshmitari kyç në çështjen tjetër të mbetur në hetim për vrasjen e ngelur në tentativë të dy deputetëve të Parlamentit, njëri i Partisë Socialiste, tjetri i Partisë Demokratike, ku si i akuzuar i drejtpërdrejtë është vetë Ilir Meta. Drejtimi i këtij Këshilli nga Ilir Meta në procesin e shqyrtimit të arrestimit ndaj deputetit Mark Frroku që cilësohet prej organit të akuzës si dëshmitar kyç në çështjen Doshi-Meta përbën pa as më të voglin dyshim një konflikt të hapur interesi, fakt ky i pranuar publikisht dhe nga vetë Ilir Meta,” tha sot në emër të PD-së, Eduard Halimi.
Sipas deputetit Halimi, PD përsërit qëndrimin e saj koherent gjatë 10 viteve të fundit, se për PD për deputetet e saj është e paimagjinueshme të pengojë ecurinë e kërkesës së prokurorisë për të zhvilluar hetime ndaj çdo deputeti.
“Për këtë arsye, shkresën e kemi dorëzuar që ditën e sotme duke i krijuar mundësinë mazhorancës që të marrë masat e duhura për zhvillimin e seancës së nesërme dëgjimore, me një drejtues tjetër të këtij këshilli dhe jo Ilir Metën, dhe për të dëshmuar para qytetarëve një proces të rregullt, ligjor dhe transparent në prani të mediave. Çdo devijim nga standardet e ndjekura deri tani gjatë këtyre 10 viteve, përfshi dhe seancat e javës së kaluar në këtë këshill, do të kompromentonte rëndë veprimtarinë parlamentare në përgjithësi dhe atë të këshillit të rregullores, mandateve dhe imuniteteve në veçanti. Po ashtu, grupi parlamentar i PD ka kërkuar plotësimin e vendit vakant të opozitës në këtë këshill, në mënyrë që përbërja ditën e nesërme të jetë e plotë, siç kërkohet ekzaktësisht nga neni 13 i Rregullores së Kuvendit, në numra të barabartë deputetesh, të mazhorancës po aq dhe të opozitës, transmeton KosovaPress.