PD: Hipokrizia po e degradon Universitetin e Prishtinës

Partia e Drejtësisë, pjesë e koalicionit qevertiar, thotë se është e turpshme hipokrizia e cila është duke e përcjellë degradimin e tanishëm të Universitetit më të madh publik të vendit.

Lajme

02/02/2014 11:57

Partia e Drejtësisë konsideron se hipokrizia po e degradon Universitetin e Prishtinës, i cili sipas saj, ka rëndësi të veçantë duke qenë se është bartësi i 80 për qind të arsimit të lartë në Kosovë.

Nënkryetari i PD’së, Jeton Svirca, deklaroi sot në një konferencë shtyp se rënia e Universitetit “Hasan Prishtina” ka filluar qëmoti.

“Dëshmitarë dhe pjesëmarrës të kësaj rënie janë shumë prej bartësve të institucioneve të cilët sot derdhin lot të krokodilit mbi të”.

“Është e turpshme hipokrizia e cila është duke e përcjellë degradimin e tanishëm të Universitetit më të madh publik të vendit”.

“Hetimet për keqpërdorime e korrupsion me rastin e regjistrimit të studentëve në fakultetet e këtij Universiteti si dhe dhënien e paligjshme të provimeve madje me përfshirjen edhe të udhëheqësve të organizatave studentore; deri te arrestimet e profesorëve dhe asistentëve, paraqesin alarmin e fundit që situata duhet të ndryshohet në mënyrë përmbajtjesore”.

PD konsideron se ndryshimi duhet të ndodhë me bashkë-veprimin e organeve të drejtësisë, organeve të Universitetit si dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e cila sipas saj, duhet të sigurojë lidership të qartë dhe të vendosur në situatën kur ligjshmëria në këtë institucion të arsimit të lartë është qartë e cenuar.

“Në këtë situatë është e padiskutueshme edhe përgjegjësia e Rektorit të Universitetit veçanërisht në aktin e dramës universitare që ka të bëjë me avancimin e tij akademik nëpërmjet artikujve shkencor të publikuar në revista diskutabile shkencore”.

“Do të ishte shumë e dëshirueshme që në këtë periudhë tejet të ndjeshme rektori Gashi të jetë në gjendje që të ofrojë shpjegime të pranueshme për komunitetin akademik, studentor si dhe për opinionin e gjerë publik përkitazi me këtë çështje”.

Partia e Drejtësisë vlerëson se zgjidhja qëndron në ftesën dërguar agjensioneve ndërkombëtare të akreditimit nga ana e Qeverisë së Kosovës të cilat do të zbatonin studim detaj të fizibilitetit të të gjitha strukturave institucionale të ndërlidhura me arsimin e lartë në Kosovë dhe me këtë të siguronin prerje dhe ndarje të qartë nga e sotshmja për hire të së ardhmes.

“Çdo zgjidhje tjetër do të paraqes vetëm riciklim të së kaluarës dhe të sotshmes së turpshme”.