Pazzolla kujdeset për emigrantët e gjallë dhe të vdekur

0:38 | 19 Shtator 2014

18 arkivolet ishin vendosur në dy radhë dhe përmbi  rrezonte dielli i pasdites së vonë. Kryetari i Komunës por dhe personalitete të tjera zunë vendet e tyre në varrezën e cila gjendet në majën e një kodre. Një famullitar katolik mbajti një predikim. Një imam mysliman shtroi sexhaden e tij dhe filloi të falej, e ndërsa thoshte ajetet kuranore, zëri i tij dukej se po dëgjohej në gjithë Mesdheun.

Të gjithë të pranishmit kishin ardhur që të nderonin e vajtonin persona të huaj. Brenda 18 arkivoleve para tyre, qëndronin trupat e afrikanëve që vdiqën në gusht. Trupat e tyre u mblodhën nga anijet e trafikantëve, të cilët kishin marrë përsipër që t’i sillnin këta persona deri në Evropë. Në tetë gurët e varreve të sapo hapura, shkruhej vetëm një fjalë “Sconosciuto”, ose “I panjohur”.

“E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por indiferenca”, tha para të pranishmëve në fund të ceremonisë mortore Imzot Angelo Giurdanella.

Askush nuk mund ta akuzojë Pozzallo-n për indiferencë. Ky qytet i vogël sicilian, si dhe vetë Italia, është duke kaluar nëpër një situatë shumë të vështirë, pasi që emigrantët kanë vëshuar këtë vend. Vetëm gjatë këtij viti, rreth 120 mijë emigrantë u shpëtuan nga ujërat e Mesdheut, shifër kjo pothuajse trefish më e lartë se ajo e vitit të kaluar. E, rreth 2 mijë e 800 persona këtë vit kanë vdekur, si pasojë e mbytjeve ose në transit, numër ky katër herë më i lartë se vitin e kaluar. Dhe fatkeqësisht, fatalitete të tjera mund të ndodhin akoma. Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar në ujërat pranë Maltës, pasi që është raportuar këtë javë se më shumë se 750 persona kanë vdekur si pasojë e fundosjes së dy anijeve, shkruan New York Times.

Gjatë tre viteve të fundit, autoritetet italiane kanë kaluar nga një politikë e ashpër, që ishte për të  “shtyrë mbrapa” të gjitha anijet e emigrantëve për në Libi, në një program të kërkim-shpëtimit dhe dërgimit të emigrantëve në mënyrë të sigurt në portet italiane siç është ky i Pazzollos. Emigrantët ende vazhdojnë që të tentojnë të arrijnë në Evropë.

Sot, Evropa e gjen veten në një pozitë ku është ndërmjet dy dilemave. Dilema e parë është që të luftojë kundër rritjes së numrit të emigrantëve “të cilët kanë vërshuar kontinentin”, por nëse vepron kështu ajo përballet me një presion ndërkombëtar, ku i kërkohet që të sigurojë një përgjigje humane në një krizë ku përfshihen refugjatë edhe nga luftërat në Lindjen e Mesme.

“Është një lumë i njerëzve që po vijnë”, tha Daniele Corrozza, i cili është drejtor i njërës prej shumë qendrave të strehimit të emigrantëve në Sicili. Nëpër këto shtëpi strehuese ka edhe mijëra persona të mitur.

“Në vitet e ardhshme ne do të kemi një rritje eksponenciale”, deklaroi Carrroza.

Deri tre vjet më parë, Evropa kryesisht ka përdorur politika që ndalonin anijet e emigrantëve dhe Italia po ashtu përdori këto politika, transmeton lajmi.net. Por, shpërthimi i Pranverës Arabe, në vitin 2011, ndryshoi strategjinë si dhe qëndrimet e publikut lidhur me këtë çështje.

Pamjet ku shiheshin shumë refugjatë që rrezikonin jetën e tyre vetëm për të arritur deri në Evropë, fituan simpati globale. Në përgjigje të kësaj, Italia pezulloi politikën e saj për të mos lejuar që anijet e emigrantëve të zbarkonin nëpër portet e saj, dhe pastaj një vendim historik i vitit 2012 nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ndaloi Italinë që të vazhdojë atë taktikë.

“Ne nuk mund t’i ndalojmë këta njerëz që të ikin nga lufta – fëmijë, nëna e etër- dhe të mbyten në sytë e Evropës”, tha Leonard Doyle, zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Emigrim me seli në Gjenevë.

“Kjo thjesht është e papranueshme”, shtoi ai.

Pasi që një anije u fundos në Lampedusa, në tetorin e vitit të kaluar, ku la të vdekur më shumë se 300 emigrantë, qeveria italiane njoftoi për krijimin e “Mare Nostrum”, program i kërkim-shpëtimit.

Menjëherë pas ndryshimit të politikave për emigrantët, në të gjitha qytetet përgjatë bregut juglindor të Sicilisë, italianët kanë rendur që të hapin qendrat mbajtjes, duke përshirë edhe këtu edhe shkolla në qytetin Augusta, që do të shërbejë për emigrantët e mitur, të cilët kryesisht janë të vetëm, pa praninë e ndonjë familjari, transmeton lajmi.net. Shumë prej tyre janë larguar nga Gambia dhe Gana, madje dhe nga Bangladeshi, për të punuar nëpër vendet e pasura me naftë në Libi. Por, porsa kanë mbërritur në Libi, kanë parë se aty ka anarki dhe dhunë dhe janë larguar menjëherë, duke pasur frikë për jetën e tyre.

“Ata mund të të vrasin në çdo moment”, tha Ibrima, 17 vjeçari nga Gambia, i cili kishte punuar në Libi dhe kishte bërë para të mjaftueshme – aq sa kërkojnë kontrabandistët – për të ardhur në Itali.

I pyetur se pse ishte larguar nga Gambia, Ibrima ngriti këmishën e tij, ku një shenjë e madhe në shpinë u shfaq. Ai tha se i ati kishte dy gra dhe se gruaja e dytë ishte xheloze për nënën e Ibrimas dhe për këtë shkak ajo i kishte hedhur Ibrimë,s vaj të nxehtë.

“Ky tashmë është vendi im”, tha ai. “Unë dua të qëndroj këtu”.

Në portet private në Augusta dhe Pozzallo, marina Italia dërgon emigrantë të shpëtuar pothuajse çdo ditë.

E  në qytetin e Pozzallos, vdekja e emigrantëve është bërë njëra prej detyrave burokratike të kësaj komune. Në korrik të këtij viti, Marina kishte shpëtuar një anije prej druri e cila ishte e mbipopulluar me emigrantë. Kur marinarët hynë brenda anijes, ata gjetën se 48 persona kishin vdekur si pasojë e shtypjes nga personat e tjerë. Zyrtarët e Pazzollos, duke parë numrin e madh të vdekjeve, janë detyruar që të hapin një morg të improvizuar në qendër të qyteti, e cila ka brenda edhe njësinë e ftohjes, në mënyrë që trupat e personave të vdekur të mos dekompozohen.

Trupat e 18 personave që u varrosën ishin të një anijeje e cila kishte ardhur në brigjet italiane në gusht të këtij viti. Aq shumë emigrantë deri më tani janë varrosur në Pozzallo sa që zyrtarët komunal janë detyruar që disa prej arkivoleve t’i dërgojnë në varrezat e qyteteve pranë, për shkak të mungesës së hapësirës në varrezat e qytetit të Pozzallos.