Pazare politike edhe me postin e Avokatit të Popullit

Partitë politike në vend vazhdojnë që asnjë institucion të pavarur të mos e lënë jashtë ndikimeve të politikës. Një gjë e tillë po ndodh edhe me institucionin e Avokatit të Popullit. Tash e një vit Kuvendi nuk po arrin ta zgjedh Ombudspersonin.

Lajme

25/04/2015 16:49

Në institucionin e Avokatit të Popullit po e quajnë këtë si shkelje të kushtetutës dhe ligjit. Derisa, përfaqësuesit e partive opozitare akuzojnë koalicionin qeverisës për këtë dështim.

Ndërsa, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se partitë ia kanë humbur kredibilitetit dhe rëndësinë institucionit të Avokatit të Popullit duke i injoruar gjithmonë rekomandimet e tij.

Ushtruesi i detyrës së Avokatit të Popullit Sami Kurteshi thotë për KosovaPress se ai nuk ka asnjë kompetencë rreth kësaj çështje, derisa, Kuvendi po e shkel Kushtetutën dhe Ligjin.

“Është shkel Kushtetuta dhe ligji, Kuvendi ka për obligim ta respektoj Kushtetutën dhe ligjin me zgjedh avokatin e ri sa më shpejt, aq më mirë”, tha Kurteshi.

Ndërsa, opozita po e akuzon koalicionin qeverisës se po mundohet t’i zaptoj të gjitha institucionet e pavarura me njerëz të tyre, e njëjtë po ndodh edhe me Avokatin e Popullit. Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami-Dushica tha për KosovaPress se koalicioni qeverisës po bënë pazare edhe institucionin e Avokatit të Popullit.

“Pikërisht edhe pse institucioni i Ombudspersonit apo Avokatit të Popullit sido quajeni duhet ë jetë i pavarur, realisht është pasqyruar diçka tjetër atë ditë në seancë që po del konflikt brenda për brenda partive të cilat janë në pushtet dhe direkt po dëshmohet se politika ka gisht edhe në institucionet e pavarura”, tha Bajrami-Dushica.

Por, se partitë në koalicion po mundohen ta zgjedhin njeriun e vet si Avokat të Popullit, e mohon deputetja e LDK-së, njëherit kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Peticione dhe Persona të Pagjetur, Lirie Kajtazi, e cila thotë për KosovaPress se nuk ka pasur pazare mes partnerëve të koalicionit, por duhet një sensibilizim me i madh i grupeve parlamentare.

“Po unë mendoj se nuk ka pasur ndonjë pazar dhe ndoshta nuk është sensibilizuar sa duhet Kuvendi, kështu që duhet pak më tepër t’i thërras shefat e grupeve jo për t’iu kërkuar emra të partive por do t’iu flasim pak më shumë për peshën e Avokatit të Popullit dhe kjo do të ndikoj që ata të jenë me aktiv që t’i bindi deputetët e vet që po them konform ligjit që precizohet se çfarë i duhet një personi që të jetë avokat një pozitë mjaftë e rëndësishme në shoqëri dhe të ketë rezultat”, theksoi Kajtazi.

Edhe monitoruesit e punës së Kuvendit theksojnë se politika ia ka humbur rëndësinë institucionit të Avokatit të Popullit, por mos zgjedhja e Avokatit të Popullit nga Kuvendi është edhe si pasojë e tendencës së partive politike për të ndikuar në të gjitha institucionet e pavarura.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për KosovaPress se politika akoma s’e ka kuptuar që Agjencitë e pavarura, jo veç në bazë të emrit duhet të jenë të pavarura, por edhe në kuptimin e plotë të fjalës në funksionalitetin e tyre.

“Përveç ndikimit të politikës, unë mendoj që është edhe një faktor tjetër. Njerëzit nuk po konkurrojnë për pozitën e Avokatit të Popullit dhe ndoshta për shkak se ky institucion, ose tradita e këtij institucioni ka dëshmuar se nuk respektohet. Ky institucion ka pasur reputacionin vetëm sa kanë qenë ndërkombëtarët në Kosovë. Në momentin kur gjithçka ndërkombëtare kaloj në dorë të vendorëve rekomandimet e Avokatit të Popullit po thuaj nuk merreshin parasysh asnjëherë ose injoroheshin në maksimum. Tash njerëzit nuk provojnë as të konkurrojnë, dhe të them të drejtën lista e njerëzve që në fund doli në votim në Kuvend nuk ishte inkurajuese. Dy nga ta ishin me të kaluar politike që në zgjedhjet e fundit kanë konkurruar, ndërkohë që ligji për avokatin dhe Kushtetuta thonë që avokati duhet të jetë i pavarur dhe anëtarë i asnjë partie politike”, tha Selmanaj.

Ai shton se duhet patjetër që të bëhet amendamentimi i ligjit për Avokatin e Popullit dhe tek neni ku flet për konkurrimin e kandidatëve, të specifikohet qartë që kandidatët nuk duhet të jenë të përfshirë në politikë apo aktivitete politike së paku në tri vitet e ardhshme. Sipas Selmanajt, siç është aktualisht secili anëtarë i ndonjë prej partive mund të jap dorëheqje dhe të nesërmen të kandidojë për Avokat të Popullit.

Në mars të vitit të kaluar, kuvendi nuk kishte arritur të zgjedhje Avokatin e Popullit, ku në garë ishin tre kandidatë, Adrijana Hoxhiq, Hilmi Jashari dhe Xhyljeta Mushkolaj. Më pas u zhvilluan zgjedhjet dhe kriza politike, derisa në fillim të këtij viti u shpall konkursi për të dytën herë, por që përsëri Kuvendi dështoi të zgjedh Avokatin e Popullit.

Në konkursin e dytë ishin katër kandidatë, Suzana Novobërdaliu, Mazllum Baraliu, Veton Vula dhe Shqipe Ibraj-Mala. Më pas Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Peticione dhe Persona të Pagjetur ka shpallur konkursin për herë të tretë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. (Kosovapress)