Pavarësisht Speciales, Serbia vazhdon me aktakuza ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, Kosova e pafuqishme t’i ndalë

Pavarësisht se Gjykata Speciale është themeluar për të hetuar krimet e mundshme të luftës së fundit në Kosovë, Serbia po vazhdon ngritjen e aktakuzave ndaj ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme

02/07/2020 20:02

Dje, Prokuroria për krime lufte në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër Nezir Mehmetajt për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” gjatë periudhës qershor-korrik të vitit 1999, shkruan lajmi.net.

Së bashku me aktakuzën është edhe kërkesa për zgjatje të paraburgimit të të pandehurit Nezir Mehmetajt, i cili më 3 janar është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdare dhe që atëherë është në paraburgim.

Avokati i Mehmetaj, Sead Spahoviq ka thënë për REL se Mehmetaj po akuzohet për vepra të kryera pas qershorit, 1999, kur lufta kishte mbaruar dhe se akuzat ndaj tij nuk mund të lidhen me krime lufte. Ai ka shtuar se nuk ka asnjë dëshmi në shkresat e prokurorisë ndaj lëndës për Mehmetajn se klienti i tij ka qenë i përfshirë në ndonjë vepër që përbën krime lufte.

Pas ndalimit të Nezir Mehmetajt nga autoritetet serbe, Prishtina zyrtare kishte kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Serbia i ngre aktakuzë Nezir Mehmetajt për krime lufte

E lidhur me këtë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi për lajmi.net shprehet se Serbia fatkeqësisht vepron në kundërshtim me dispozitat e Kombeve të Bashkuara në raport me Kosovën.

Ai më tutje shprehet se edhe në bazë të rezolutës 1244 edhe në bazë të praktikës së krijuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i, Serbia nuk ka të drejtë të ngritë aktakuza ose të hetojë krime të luftës që dyshohet ose pretendohet se janë kryer.

Miftaraj thotë se në këtë drejtim, Kosova nuk ka bërë asgjë dhe e ka injoruar në vazhdimësi këtë çështje edhe në dialogun Kosovë – Serbi.

“Serbia fatkeqësisht edhe ato dokumentet e Kombeve të Bashkuara të cilat i referohet në raport me Kosovën i shkel dhe ngrit aktakuza ndaj qytetarëve të Kosovës për pretendimet se kanë kryer krime lufte në Kosovë. Në bazë të rezolutës 1244 dhe të praktikës së krijuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i Serbia nuk ka të drejtë dhe nuk ka mandat të ngrit aktakuza ose të hetojë krime të luftës që dyshohet ose pretendohet se janë kryer në territorin e Kosovës. Në këtë drejtim është për fatkeqësi që institucionet e Kosovës në vazhdimësi e kanë injoruar këtë fakt dhe si kjo çështje asnjëherë nuk është diskutuar në dialogun Kosovë – Serbi”, tha Miftaraj.

Miftaraj më tutje thotë se roli i autoriteteve të Kosovës në raport me rrëzimin ose preventimin e këtyre aktakuzave është zbehur.

Ai më tutje pohon se kjo ka ndodhur për shkak të faktit që Kosova ka në sistem të drejtësisë sundim të dobët të ligjit dhe BE nuk i beson Kosovës, por edhe për faktin se Kosova ka dështuar në hetimin e krimeve të pretenduara të luftës.

“Fatkeqësisht roli i autoriteteve të Kosovës në raport me Serbinë gjithmonë flas lidhur me aktakuzat qoftë me kërkesat për ekstradime që i bën është zbehur viteve të fundit. Në radhë të parë për shkak të faktit që Kosova ka në sistem të drejtësisë një sundim të ligjit jashtëzakonisht të ulët dhe shtetet e BE-së nuk i besojnë këtij sistemi dhe në anën tjetër Kosova ka dështuar në vazhdimësi t’i ndjekë krimet e luftës në Kosovë dhe këtë po e shfrytëzon Serbia në maksimum për t’i ngritur aktakuzat për shtetas të Kosovës për pretendimet e saj që kanë kryer krime në Kosovë.”, tha Miftaraj për lajmi.net.

Në anën tjetër, edhe Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka folur për rastin e Nezir Mehmetajt, kosovarit që tash e gjashtë muaj po mbahet në burg në Serbi.

Ai sot është takuar me vëllanë e Nezirit, Agronin nga ku kanë folur për situatën e krijuar pas ngritjes së aktakuzës nga shteti serb, shkruan lajmi.net.

Selimi ka thënë se e ka siguruar vëllanë e Nezirit se Kosova do t’i shterojë të gjitha mjetet juridike dhe diplomatike për ta bërë të mundur lirimin e shtetasit kosovar nga akuzat.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë pranë Gjykatës Speciale ka publikuar një propozim-aktakuzë ende të pakonfirmuar nga gjyqtari i procedurës paraprake. /Lajmi.net/