Pavarësisht Clinton apo Trump, përkrahja vazhdon
Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi nuk do ta humbasin përkrahjen amerikane, pavarësisht rezultatit final të zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit në SHBA.

Lajme
Kështu ka thënë një intervistë dhënë “Zërit” Faton Bislimi, ligjërues universitar i politikës ndërkombëtare në Programin e Washingtonit për Zhvillim Ndërkombëtar.
Sipas tij, themelet e përkrahjes së përhershme amerikane ndaj shqiptarëve janë të ngritura fuqishëm në Washington.
Sa i përket vetë garës, Bislimi ka thënë se të gjitha sondazhet e besueshme deri më tani në SHBA kanë treguar një garë shumë të ngushtë mes dy kandidatëve.
Derisa Clinton mbështetet më shumë nga gratë dhe imigrantët, Trump në anën tjetër ka marrë mbështetjen e shtresës amerikane të lodhur nga qeverisja demokrate.
Më tutje, në intervistën e tij anëtari i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka thënë se nuk vend për frikë apo panik për shqiptarët nëse Trump fiton këto zgjedhje pasi që politika amerikane karshi shqiptarëve do të mbetet e pandryshueshme.
Krejt në fund ai ka shtuar se më 8 nëntor SHBA-të do ta bëjnë përsëri historinë.
Do të sjellin në Shtëpinë e Bardhë gruan e parë presidente ose biznesmenin më kontrovers si president.
Zëri: Ju jeni ndër shqiptarët aktivë në jetën arsimore dhe politike në SHBA, më 8 nëntor do t’i kemi zgjedhjet presidenciale atje, si e keni parë ju deri më sot fushatën elektorale?
Bislimi: Unë kam pasur fatin të jem pjesë aktive e lobit shqiptar në SHBA që nga viti 2002 dhe në këtë kuadër kam punuar me shumë figura kyçe të politikës amerikane – si me senatorë e kongresistë të ndryshëm nga të dyja taborët partiakë, Demokrat e Republikan. Po ashtu edhe nga puna ime e drejtpërdrejtë në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit kam mësuar shumë për brendësinë dhe funksionimin politik në SHBA. Andaj, këto zgjedhje presidenciale unë i shoh nga perspektiva e sistemit dualist politik që mbizotëron SHBA-të. Fushata zgjedhore presidenciale ka sjellë në pah një nevojë për reflektim kritik të elektoratit amerikan.
Zgjedhja e presidentit është një akt shumë domethënës i demokracisë së drejtpërdrejtë. Amerikanët të martën nuk zgjedhin vetëm kreun e shtetit, por edhe komandantin suprem të ushtrisë më të fuqishme në botë, si dhe shefin e qeverisë. Sistemi presidencial amerikan ia jep këtij posti fuqinë vendimmarrëse madhore. Ky fakt, si dhe karakteristikat njerëzore politike të dy pretenduesve kryesorë në këtë garë e kanë bërë atë edhe më të rëndësishme. Tonet e fushatës dhe ndasia e mendësisë politike amerikane në mes taborëve Clinton e Trump janë ashpëruar me afrimin e ditës së zgjedhjeve.
Mirëpo, retorika kundërthënëse në mes kandidatëve është pjesë e lojës dhe brenda botëkuptimit elektoral amerikan. Ajo që e veçon elektoratin amerikan është se pas verdiktit të popullit, kundërthëniet dhe ndasitë politike zgjedhore kthehen në alternativa të politikëbërjes sa më të suksesshme për të mirën e Amerikës dhe nuk mbesin hendeke të pakapërcyeshme të kapriçove politike në mes taborëve kundërshtare.