Pavarësia e Kosovës ishte akt legjitim

Shtëpia e Bardhë i është përgjigjur Agjencisë ruse Itar-Tas, duke ia bërë edhe njëherë të qartë opinionit rus se krahasimi i Kosovës me Krimenë është i gabuar, dhe se pavarësia e Kosovës është akt legjitim.

Lajme

02/04/2014 11:42

Në një përgjigje zyrtare ndaj kërkesës së Agjensisë ruse Itar-Tas, ku është kërkuar shpjegimi i deklaratave të presidentit amerikan, Barack Obama, stafi i presidentit ka njoftuar se “presidenti ka menduar situatën unike në Kosovë, e cila fitoi pavarësinë pas shumë viteve të shterura të negociatave, në të cilat bashkësia ndërkombëtare ka pasur një rol udhëheqës”.

“Letra zyrtare gjithashtu thekson se në Kosovë, në bazë të rezolutave të OKB-së, ishte vendosur një status i veçantë që vazhdoi me procesin politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës”, citon “Zëri i Rusisë”, transmeton Telegrafi.

Procesi, siç shpjegohet në stafin e Shtëpisë së Bardhë, kishte mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta për përfaqësuesit të Parlamentit të Kosovës, institucion që kishte shpallur ligjërisht pavarësinë, pasi që ishin shterur të gjitha mundësitë tjera.

Presidenti amerikan, gjatë vizitës në Bruksel, javën e kaluar, ka deklaruar se Kosova ka vuajtur me vite nga krimet dhe vrasjet sistematike që ka ushtruar aparati shtetërorë i Serbisë.

“Kosova është shkëputur nga Serbia, pas pas shumë viteve të shterura të negociatave, në bashkëpunim të ngushtë me Kombet e Bashkuara dhe fqinjët e saj”, ka thënë presidenti Obama.

“Referendumi rreth pavarësimit të Kosovës është mbajtur në vitin 1991, por pa mbështetjen e OKB-së. Rezultati i votimit nuk ishte njohur as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose ndonjë vend tjetër në botë, me përjashtim të Shqipërisë. Referendumi asnjëherë nuk u përmend si një justifikim për bombardimet e NATO-së në vitin 1999”, komenton Zëri i Rusisë, duke aluduar tek thirrja e Moskës zyrtare për të pranuar referendumin e organizuar ditë më parë në Krime, për shkëputje nga Ukraina.