Patrullim të përbashkët edhe gjatë këtij sezoni

Patrullimi i përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe të Shqipërisë do të vazhdojë edhe gjatë këtij sezoni turistik. Ky patrullim nga drejtorët e dy policive u vlerësua i frytshëm.

Lajme

28/06/2014 15:31

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë edhe këtë vit gjatë sezonit veror do të bëjnë patrullime të përbashkëta në akset rrugore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga periudha kohore 1 korrik e deri në fund të muajit gusht.

Kjo është bërë e ditur të shtunën, pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi mes drejtorisë së Policisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, raporton KosovaPress.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se ky bashkëpunim do të ndihmojë në shumë drejtime, dhe se patrullimi i përbashkët ka qenë i suksesshëm.

 “Qëllim i këtij aktiviteti do të jetë në shumë drejtime, duke filluar nga shkëmbimi i përvojave në mes të dy policive në fushën e policimit rrugor, pastaj mbështetja në parandalimin e ngjarjeve aksidentale, ku synim kryesor do të jetë ruajtja e jetës së njerëzve në qarkullim rrugor, fuqizimi i përgjithshëm i sigurisë në qarkullimin rrugor”.

“Pastaj do të jetë trajtimi i të gjithë shkelësve, apo kundërvajtësve të cilët në një mënyrë apo tjetrën bien ndesh me rregullativën ligjore brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe vlerësimet e përbashkëta që duhet pasuar nga të dyja policitë për të menaxhuar në mënyrë profesionale tërë këtë aktivitet, pra që do të realizohet nga dy policitë e dy vendeve”, tha Maxhuni.

Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Artan Didi, tha se janë të përgatitur dhe se janë duke u munduar që tu krijojnë të gjitha kushtet e nevojshme që i duhen çdo turisti të zakonshëm.

“Tashmë është bërë traditë bashkëpunimi i dy policive të fushës së qarkullimit rrugor. Edhe në vitet e mëparshme këto kanë dhënë rezultate pozitive, sidomos në menaxhimin e trafikut, por edhe në trajtimin e shkeljeve të ndryshme, apo edhe në trajtimin e ngjarjeve të tjera aksidentale, të cilat kanë bërë që t’i përgjigjemi në një kohë më të shpejtë, të gjithë qytetarëve e sidomos përdoruesve të rrugës që vinë nga Kosova duke shfrytëzuar bregdetin shqiptar”.

“Është një sezon që ka një fluks të shtuar të mjeteve, dhe ne jemi të përgatitur, por edhe jemi të interesuar që tu krijojmë të gjitha lehtësitë e nevojshme pushuesve që vinë nga Kosova për të krijuar të gjitha ato lehtësirat e nevojshme për turistët në përgjithësi”, tha Didi.

Ndërsa, në kuadër të kësaj marrëveshje bashkëpunimi, janë paraparë që nga Policia e Kosovës të jenë tri patrullime, gjatë gjithë sezonit veror, brenda territorit të Shqipërisë.