Pati kontakt me të infektuarin me COVID-19 – nesër testohet mjeku nga Prizreni

Një mjek i Shërbimit të Urgjencës nga Komuna e Prizrenit, i cili ka pasur kontakt me një person me COVID-19, tashmë është vetizoluar dhe nesër do t’i bëhet testimi për koronavirus.

Lajme

02/04/2020 14:29

Drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, tha se kontakti i mjekut të Urgjencës me një stomatolog, i cili është rasti i parë i prekur me koronavirus në Prizren, ka ndodhur pasi që ata kanë lidhje familjare.

Stomatologu në fjalë sipas drejtorit të Shëndetësisë është kthyer nga Bullgaria përmes Maqedonisë Veriore më datë 16 mars dhe ka qenë në vetizolim.

“Një stomatolog, i cili ka ardhur nga Bullgaria në ditën e 12 të vetizolimit, ka pasur simptoma, ka bërë testimet dhe ka rezultuar pozitiv. Sa i përket mjekut i cili ka pasur kontakt, nuk është mjek i Spitalit Rajonal, por i Kujdes Parësor Shëndetësor, respektivisht i Shërbimit Urgjent. Është e vërtetë që ka pasur kontakt, sepse ata janë në lidhje familjare me stomatologun që ka rezultuar pozitiv, dhe të njëjtit menjëherë pasi kemi marrë informacione…tashmë edhe ai është në vetizolim. Nesër, sipas informatave që kemi me kërkesën tonë, me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, kemi bërë kërkesë që t’i bëhet testimi edhe mjekut të shërbimit urgjent”, tha Shehu për KosovaPress.

Shehu për KosovaPress ka sqaruar se Shërbimi urgjent në Prizren është i ndarë në ekipe me nga 12 anëtarë të stafit dhe një ekip mban ndërrim 24 orë, dhe se sipas tij jo i gjithë stafi mjekësor do të ketë nevojë të testohet në rast se del pozitiv mjeku, i cili ka pasur kontakte me personin e prekur me COVID-19.

“Shërbimi Urgjent te ne funksionon me ndërrime, respektivisht me ekipe, 40 punëtorë janë gjithsej sa i përket personelit mjekësor në Shërbimit Urgjent. Ne tashmë kemi marrë masa mbrojtëse për shkak të kontakteve të mundshme të kontaktit mjekësor. Ekipet që rrinë në një ndërrim rrinë 24 orë, janë 12 persona në një ekip. Kemi marrë këtë masë për shkak që kontakti të jetë sa më i vogël ndërmjet stafit. Ne nuk mund të themi se testimi duhet t’i bëhet të gjithë personelit mjekësor. Kjo varet nga rezultatet e testimit që dalin nesër apo pasnesër për mjekun në fjalë”, u shpreh ai.

Visar Shehu thotë se i gjithë stafi mjekësor në këtë komunë është i pajisur me pajisjet mbrojtëse, derisa theksoi se tri kontingjente me pajisje i kanë marrë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ekipi mjekësor është komplet i pajisur me pajisje mbrojtëse sa i përket mbrojtjes së personalit mjekësor. Të gjitha masat mbrojtëse, maskat , dorëzat, veshjet speciale për ekipet që i vizitojnë rastet e dyshuara me dezinfektim me të gjitha i kemi, jemi të pajisur deri në momentin që po flasim. Deri tash i kemi marr tri kontingjente nga MSH. Tashmë është në procedurë tenderuese edhe pjesa tjetër e furnizimeve me buxhet të komunës së Prizrenit”, tha ai.

Më 31 mars, një burrë nga Prizreni ka rezultuar pozitiv me COVID-19, ndërsa deri më tani në vend kanë rezultuar 125 persona të prekur nga ky virus, derisa 10 janë shëruar dhe një ka vdekur.