‘Patatja e nxehtë’ për presidenten!

Gjykata Kushtetuese i ka servuar “pataten e nxehtë” presidentes Atifete Jahjaga, duke ia lënë në dorë asaj të vendos herën e dytë se cilit subjekt parlamentar t’ia japë të drejtën për ta nxjerrë mandatarin për formimin e Qeverisë, në rast se i propozuari i parë dështon për të marrë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Lajme

02/07/2014 10:44

Presidentja Jahjaga, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është e obliguar ta propozojë për kryeministër fillimisht kandidatin që e prezanton PDK-ja, e nëse ai dështon ta formojë Qeverinë, atëherë e ka në dorë të vlerësojë se kandidati i cilit subjekt politik do të mund të merrte shumicën e votave në Kuvend, në mënyrë që ta mandatojë atë.

Jahjaga me këtë vendim, nëse vjen deri të rasti i dytë i emërimit të mandatarit, do të ‘shtrëngohet’ t’i shmangë zgjedhjet e reja, shkruan Koha Ditore.

Jahjaga ia pati adresuar asaj 12 pyetje përkitazi me mandatarin, pasi zgjedhjet e 8 qershorit e kanë nxjerrë PDK-në si parti të parë për kah numri i votave, me rreth 31 për qind, por kanë prodhuar edhe një koalicion paszgjedhor të LDK-së, AAK-së e Nismës, që bashkërisht kanë rreth 10 për qind më shumë vota sesa PDK-ja.

Secila nga këto dy kampe politike pretendonte se, mbështetur në Kushtetutë, u takonte mandatari për të formuar Qeverinë.

Kushtetuesja ka dhënë verdiktin se mandatari fillimisht i takon subjektit që ka fituar më së shumti ulëse në Kuvend, nuk e përjashton mundësinë as në rastin e dytë, dhe nuk i njeh koalicionet paszgjedhore.