Pastërti Gjenerale

Agim Çeku i ka siguruar operatorët e pastrimit në Prishtinë për diçka. Se tek ai, nuk do të ketë vendosje të kritereve se çfarë klani apo çfarë partie ka një operator, por i intereson vetëm cilësia e tyre.

Lajme

11/10/2013 16:32

Kandidati i PDK’së për Kryetar të Prishtinës, Agim Çeku, mbajti sot një takim me operatorët ekonomikë aktualë të Komunës së Prishtinës. Qëllimi ishte që t’i dëgjojë problemet dhe sugjerimet e tyre se si mund t’i përmirësojnë shërbimet për pastrim dhe mirëmbajtje të qytetit.

“Unë i siguroj punëtorët se prioritet i qeverisjes sime në programin tim është ofrimi i shërbimeve cilësore dhe efikase për Prishtinën dhe gjithë komunat e saj”.

“Këtë unë do ta siguroj përmes një menaxhimi të mirëfilltë nga Komuna, përmes partneritetit publiko-privat me operatorët ekonomikë, duke kërkuar nga ta cilësi, përgjegjësi, angazhim, por edhe duke u ofruar kushte dhe kontrata me afat të gjatë”.

Çeku është shprehur se është i vendosur në përmirësimin e pastërtisë së Prishtinës.

“Definitivisht unë kam vendosur ta ndryshoj Prishtinën, të jetë më e pastër, me më shumë hapësira të gjelbëruara, dhe këtë do ta bëj me operatorët përgjegjës ekonomikë”, tha ai.