Pasi vet ministrit s’i kujtohet: Një tentim-sqarim se sa i kushtuan Liburn Aliut banesat në Marigona Hill

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë ditëve të fundit kishte nxitur reagime pasi që kur ishte pyetur për dy banesat e blera në lagjen luksoze “Marigona Hill”, kishte deklaruar se nuk e di vlerën e saktë të blerjes.

Lajme

14/06/2022 16:36

Por, në deklarimin e pasurisë të këtij viti, ministri Aliu ka sqaruar edhe sa para i detyrohet kompanisë nga e cila ka blerë banesat, shkruan lajmi.net.

Në deklarimin e pasurisë që Aliu e ka dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit në mars të këtij viti, ai ka deklaruar se i detyrohet kompanisë “Marigona Hill” edhe 23 mijë euro për një banesë 89.7 metra katrorë bashkë me një terracë 22 metra katrorë.

Gjithashtu, Aliu ka deklaruar se i detyrohet kompanisë së lartëcekur edhe 58 mijë euro për një banesë të dytë në këtë lagje, e cila është 90.48 metra katrorë bashkë me një terracë me hapësirë 21.26 metra katrorë.

Të dyja detyrimet ndaj kompanisë, Aliu ka deklaruar se i ka të përbashkëta.

Për banesën e parë, Aliu në vitin 2021 kishte deklaruar se është e blerë nga prindi i tij, i cili i detyrohej edhe 23 mijë euro kompanisë “Marigona Hill”, të cilat duhet të paguhen deri në qershor të vitit 2022.

Në vitin 2021, Aliu kishte deklaruar për banesën e lartëcekur se detyrimet janë të prindit të tij, ndërsa këtë vit ka deklaruar se detyrimet janë të përbashkëta.

Në anën tjetër, në vitin 2021 ministri Aliu ka deklaruar se për banesën e dytë i detyrohet 83 mijë euro kompanisë “Marigona Hill”, ndërsa në vitin 2022, Aliu ka deklaruar se i detyrohet edhe 58 mijë euro kompanisë “Marigona Hill”. Bazuar në këto deklarime, shihet se ministri Aliu për një vit i ka paguar 25 mijë euro detyrim për banesën e dytë në lagjen luksoze të lartëcekur dhe i kanë mbetur edhe 58 mijë euro për t’i paguar.

Për këtë banesë, Aliu vitin e kaluar kishte deklaruar se marrëveshja me kompaninë në fjalë ishte bërë më 19 tetor të vitit 2020.

“Poashtu si sqarim shtesë në lidhje me detyrimin financiar ndaj “Marigona Hill” shpk. Me këtë kompani është lidhur edhe një para-kontratë për blerje të banesës me vlerë 103,000.00€ me 19 tetor 2020, në mes të kësaj kompanie dhe mua personalisht, nga të cilat janë paguar 20,000.00€ janë paguar (pas mjeteve të marra të kompensimit për ish të burgosurit politikë) dhe 83,000.00€ kanë mbetë të papaguara me afat deri në dhjetor 2023, me mundësinë e ndryshimit të kontratës në rast të mosarritjes së realizimit të pagesës”, kishte deklaruar Aliu në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ditë më parë, ministri Aliu i pyetur rreth vlerës së banesave që i posedon në lagjen “Marigona Hill”, ka deklaruar se nuk e di saktë shumën e paguar për banesat e blera në këtë lagje.

“Kur e kemi marrë banesën në fillim ka kushtuar shumë më lirë në fillim. Këtë tjetrën ka qenë shumë më shtrenjtë. S’më kujtohet saktë“, ka deklaruar para disa ditësh Aliu.

Të hyra vjetore, ministri Aliu ka deklaruar se personalisht i merr 20 mijë e 620.22 euro në vit, ndërsa bashkëshortja e ministrit i merr 16 mijë e 243.28 euro në vit nga paga në USAID, Deloite TRN Manitoba-Hydro International, Power Africa Project. Gjithashtu, bashkëshortja e ministrit i merr edhe 4 mijë e 325.52 euro në vit nga paga në Miester Training Center. Ministri ka deklaruar gjithashtu edhe të hyrat nga 10-përqindëshi i Trustit Pensional, nga i cili ka deklaruar se ka marrë 2 mijë e 658.74 euro.

Të hyrat vjetore të ministrit Aliu për këtë vit janë nga pagat që i ka marrë në Kuvend, si ligjërues në Kolegjin “UBT” dhe si ministër. Gjithashtu Aliu ka deklaruar edhe mëditjet në ministri, të cilat ka deklaruar se i ka marrë kesh. /Lajmi.net/