Pasdite e “nxehtë” për Bllokun

Orët e fundit të ditës do të jenë vendimtare për ekzistimin e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe VV. Takimi vendimtar që është paralajmëruar të mbahet sot, pritet të realizohet sonte në orët e pasdites.

Lajme

14/11/2014 16:59

Ndërkohë burime të lajmi.net brenda Bllokut kanë shprehur skepticizëm për vazhdimin e këtij koalicioni, marr parasysh ngritjen e tensioneve në mes të dy partnerëve LDK-së dhe AAK-së.

Ky burim i ka thënë lajmi.net se atmosfera jo e mirë brenda Bllokut si pasojë e mosmarrëveshjeve lidhur me atë se kush do të jetë i nominuari për kryeministër, ka zgjeruar qarjen në mes këtyre dy subjekteve politike.

“Pas vendimit të koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe VV që të heqim dorë nga pozita e kryetarit të Kuvendit, ka lindur dëshira që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa të kandidojë për kryeministër. Me këtë mund të them se situata nuk është e mirë”, ka thënë ky burim për lajmi.net.

Ky takim mund të jetë vendimtar, pasi që dihet se presidentja Atifete Jahjaga si dhe përfaqësues të korit diplomatik në vend, u kanë dhënë ultimatum liderëve politikë që deri në javën e ardhshme të arrihet një konsensus për formimin e institucioneve të reja.