Pas zhvillimeve të sotme reagon presidenti Thaçi: Askush nuk po tenton t’i ikë drejtësisë, s’ka nevojë për ekspedita dhe aksione spektakolare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas zhvillimeve të sotme ku hetues të Gjykatës Speciale kanë kryer bastisje në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme

25/09/2020 19:10

Presidenti Thaçi në një deklaratë për media ka thënë se qytetarët e Kosovës dhe gjithë bota pret që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve se UÇK-ja ka kryer krime, shkruan lajmi.net.

Ai më tutje ka shtuar se UÇK-ja ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri dhe pavarësi dhe është e njohur e tillë nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai ka thënë se UÇK-ja: “Ishte edhe shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Duke filluar me gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendore dhe tani me nivelin e 5-të të drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Dhomat e Specializuara. Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë.”.

Më tutje, presidenti Thaçi është shprehur se Specialja duhet t’i përmbahet Kushtetutës së Kosovës dhe se asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë prandaj, ka vlerësuar se Specialja s’ka nevojë për ekspedita dhe aksione spektakolare duke iu referuar aksionit të fundit të Speciales.

Ky është reagimi i plotë i Thaçit:

Deklaratë për media e Presidentit të Republikës së Kosovës

Qytetarët e Kosovës dhe tërë bota presin që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve monstruoze, siç janë insinuatat për “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” apo për “Shtëpinë e verdhë”, në emër të të cilave ne ishim të detyruar që t’i themelojmë Dhomat e Specializuara.

Siç tregon historia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri e pavarësi në Kosovë dhe si e tillë është njohur nga bashkësia ndërkombëtare.

Ishte edhe shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Duke filluar me gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendore dhe tani me nivelin e 5-të të drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Dhomat e Specializuara. Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë.

E theksoj se rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë. Publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm.

Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë.

Është e qartë se kërkohet bashkëpunim i ndërsjellë, në perputhje me legjislacionin me të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara. Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve.

Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet.

E tërë bota e dinë se Kosova ishte viktimë. UÇK-ja dhe tërë populli i Kosovës janë përballur me gjenocid dhe spastrim etnik.

Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e të vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj.

Ky është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe përkushtim i institucioneve të shtetit të Kosovës. /Lajmi.net/