Pas zgjedhjeve do të shihet kush i “ha fjalët”
Sekretari i përgjithshëm i PDK’së, Basri Musmurati thotë se deklarimet e partive opozitare se ato nuk do të bëjnë koalicion me PDK’në, janë një fushatë për të fituar vota. Ai thotë se pas zgjedhjeve do të shihet se cila parti do të “ha fjalët”.

Lajme
Sekretari i përgjithshëm i PDK’së, Basri Musmurati thotë se partia e tij është e hapur që të bëj koalicion me të gjitha partitë.
Në një intervistë për “Epoka e Re”, Musmurati nuk ka përjashtuar si partnerë të munshëm edhe LDK’në.
“Të them të drejtën unë as këtë nuk e përjashtoj, duke e ditur se edhe LDK’ja është një subjekt i konsoliduar. Tani është në opozitë, eventualisht pas zgjedhjeve mund të jetë subjekti i dytë dhe sigurisht dëshiron të jenë në strukturat e institucioneve”.
“Partnerë të natyrshëm e kemi secilin subjekt politik, i cili punon për zhvillimin e vendit dhe zhvillimin e institucioneve të vendit. Po them se ne jemi të hapur për të gjithë”.
Duke qenë se LDK, AAK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me PDK’në, Musmurati thotë se kjo i ngjanë më shumë një fushate që po bëjnë këto parti, që të “zhvatin ndonjë votë”.
Ai thotë se edhe më herët ka pasur deklarime të tilla, por më pas këto parti i janë ofruar që të bëjnë koalicion me PDK’në.
“Disa parti edhe para zgjedhjeve të kaluara deklaroheshin se nuk bëjnë koalicion me PDK’në, por kur i fituam zgjedhjet kanë ndërruar qëndrim dhe na kanë lutur të bëjmë koalicion qeverisës. Ndërsa tani të shohim çka do të ndodhë. Por jam i bindur se ne pas zgjedhje përsëri do të bisedojmë se pse këto parti do t’i hanë fjalët”.
“Kjo është më shumë një fushatë e partive të tjera, të cilat eventualisht konsiderojnë se me këtë qasje mund të dëmtohet PDK’ja ose eventualisht t’ia zhvatin ndonjë votë për të mos dalë e para në zgjedhje”.
“Ne si parti e fortë dhe e konsoliduar, si parti që ka fituar disa palë zgjedhje deri më tash, do të fitojmë përsëri fort, nuk ua vëmë veshin këtyre deklaratave sepse çdoherë kemi thënë se jemi parti e hapur”, ka thënë Basri Musmurati për “Epoka e Re”.