Pas vlerësimit të FMN-së për rritjen ekonomike, Mustafa: Viti 2022 pritet të jetë sfidues për Kosovën
Ish- kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të dielën përmes një reagimi në facebook, ka treguar se duke u bazuar në vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7%. pra, parashihet që viti 2022 të jetë sfidues. “Shkak i kësaj rënie vlerësohet të jetë inflacioni i lartë,…
Lajme
Ish- kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të dielën përmes një reagimi në facebook, ka treguar se duke u bazuar në vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7%. pra, parashihet që viti 2022 të jetë sfidues.
“Shkak i kësaj rënie vlerësohet të jetë inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private, rënia e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve duke mbajtur pagat e pandryshuara në sektorin publik dhe ndikimi indirekt nga lufta në Ukrainë.”, ka shkruajtur Mustafa.
Tutje, ish- deputeti i LDK-së, bënë të ditur se rritje ekonomike në 9.5% sipas FMN-se dhe në 9.1% sipas Bankës Botërore nuk duhet krahasuar me shifrat e vitit 2020 sepse sipas tij nuk janë tregues i qëndrueshëm.
“Kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit, pasi që në vitin 2020, si pasojë e pandemisë kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike dhe përfunduam me rritje negative ekonomike prej -5.5%. Në këtë aspekt krahasimet me vitin 2020 janë të natyrës formale, prandaj edhe nuk janë tregues i qëndrueshëm”, vijon ai.
Po ashtu, Mustafa tregon se edhe Mali i Zi e Kroaci, të cilat kanë shënuar rritje më të madhe ekonomike, në kohën e pandemisë edhe ato kishin pësuar rënie të madhe ekonomike./Lajmi.net/