Pas tërmeteve, Veliaj miraton 1 milionë dollarë për fazën e parë

Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion 1 milionë dollar për këtë fazë të parë për kapërcimin e të gjitha pasojave që mund të kenë lënë tërmetet.

Lajme

22/09/2019 16:06

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se janë marrë të gjithë masat për menaxhimin e kësaj situate.

“Ne do të akordojmë një fond të Bashkisë së Tiranës, rreth 1 milionë dollar, le të themi për këtë fazë të parë të emergjencave. Do të kemi një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, pikërisht për të adresuar këtë çështje dhe hequr paratë nga diçka tjetër dhe për t’u siguruar që adresohet ky problem”, u shpreh Veliaj.

Krahas mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe mbledhjes së shtabit të Emergjencave, do të ketë edhe një takim të posaçëm edhe me të gjithë administratorëve për planin organizativ.

Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të kontaktojnë me administratorët e tyre për çdo nevojë, ndërsa shprehu gatishmërinë e Bashkisë për të mbështetur të gjithë ata që kanë nevojë.

“Dua që secili nga qytetarët të ketë një kontakt me administratorin. Administratori do të bëjë një inventar, me atë inventar ne do kuptojmë kush ka nevojë për ndërhyrje fizike, kush ka nevojë për ushqime e veshmbathje, kush ka nevojë pastaj për ndoshta ndihmë psikologjike. Ne do të angazhojmë të gjithë stafin psiko-social të çerdheve kopshteve e shkollave të Tiranës. Duke nisur nga dita e hënë jo vetëm shkollat do jenë në rregull por do ketë edhe staf I cili nëpër klasa do u shpjegojë fëmijëve sepse është shumë e rëndësishme që faza e shokut të mos na paralizojë si shoqëri”, nënvizoi Veliaj.

Veliaj vlerësoi edhe kontributin e qindra qytetarëve që i janë përgjigjur menjëherë thirrjes së kreut të Bashkisë për të kontribuar me veshje dhe ushqime për njerëzit e prekur nga tërmeti.

“Qindra qytetarë kanë dhuruar ushqime, rroba e veshmbathje, për disa familje, sidomos ato në zonat rurale. Kriza nuk do mbarojë me sot e nesër por do të vazhdojë derisa të rehabilitohen plotësisht dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët që duan të bëjnë diçka , që nuk merren me llafe e nuk japin mend për gjëra kot por që duan realisht të bëjnë diçka konkrete e kanë një mundësi. Secili mund të bëjë një pako me ushqime e veshmbathje, preferojmë ushqime që nuk prishen, jo gjëra që duhen konsumuar brenda ditës, mundësisht konserva që ti kemi për një përdorim sa më të gjatë dhe më vjen mirë që kemi pasur një stok të konsiderueshëm në të gjithë qendrën tonë të Emergjencave Civile në Farkë për të përballuar valën e parë dhe do mirëpresim kontributet e qytetarëve”, deklaroi kreu i Bashkisë.