Pas shpërndarjes së Kuvendit dhe dështimit të tij në diplomaci, Pacolli kërkon mbështetje e qytetarëve

Kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, është deklaruar pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës.

Lajme

22/08/2019 17:12

Pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës nga deputetët, kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Pacolli ka shkruar po ashtu se partia e tij do të kandidojë me një program i cili sipas tij ndër të tjera, pritet t’i adresojë sfidat ekonomike, përcjell lajmi.net.

Theksojmë se Behgjet Pacolli, sa ishte për dy vite në krye të Ministrisë së Punëve të Jashme, ka arritur që Kosovës t’ia sigurojë vetëm dy njohje dhe puna e kësaj ministrie është kritikuar mjaftë.

Po ashtu, analistët kanë thënë disa herë se kjo MPJ-ja në krye me Behgjet Pacollin, ka qenë dështim në diplomaci.

Postimi i plotë i Pacollit pa ndërhyrje:

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan në favor të shpërbërjes së Kuvendit dhe hapjes së rrugës së thirrjes së zgjedhjeve që do t’i japin legjitimitet skenës politike.

Sfidat me të cilat përballet Kosova janë të mëdha dhe ne kemi nevojë që qytetarët tanë të japin mbështetje për vizionin tonë.

Unë dhe AKR do të kandidojmë me një program që do të adresojë sfidat ekonomike, partneritetin tonë me Perëndimin dhe angazhimin tonë për sundimin e ligjit. /Lajmi.net/