Pas rritjes së numrit të të infektuarve,  Maqedonia e Veriut rishikon kthimin e karantinës në disa komuna

Numri i personave të infektuar me COVID-19 u rrit ndjeshëm dje në Maqedoninë e Veriut. Janë regjistruar 89 raste të reja të infeksionit me koronavirus, shumica prej tyre nga Shkupi-35.

Lajme

02/06/2020 09:22

Dje në Shtip kishte një numër të madh të të infektuarve, ku ishin regjistruar 27 raste të reja, në Kumanovë 12, në Prilep një, në Tetovë shtatë, në Gostivar, Strumicë dhe Shën Nikollë nga një dhe në Koçan katër raste.

Në spitalin “8 Shtatori” vdiqën gjashtë persona, dy nga Shkupi të moshës prej 83 dhe 80 vjet, dy nga Kumanova të moshës prej 73 dhe 66 vjet, një pacient nga Struga i moshës 44-vjeçare dhe një nga Tetova i moshës 65 vjeç. Në Klinikën për Sëmundje Infektive vdiq një pacient nga Tetova i moshës 54-vjeçare.

Instituti për Shëndet Publik dje ka regjistruar 17 pacientë të shëruar. Pacientët e shëruar janë regjistruar në Shkup dy, në Prilep 12 dhe në Veles tre.

Sipas Filipçes, lidhur me klasterët, rreth 70 për qind e të gjithë rasteve të reja janë prej klasterëve tashmë të njohur para se gjithash komunat Çair dhe Saraj, ku intensivisht punohet gjatë ditëve të fundit.

Një nga problemet kryesore me të cilat ata përballen, tha ministri Filipçe, është bashkëpunimi i dobët me disa qytetarë, refuzimi për t’u testuar, të paraqiten në spital edhe kur ato kanë simptoma dhe, siç tha ai, shumë shpesh bëjnë fqinjët e tyre. Ai apeloi që të gjithë duhet të zbatojnë rekomandimet dhe të sigurojnë informacione të plota dhe të vërteta për autoritetet.

Megjithatë, dje është biseduar për vendosjen eventuale të masave kufizuese, por qëndrimi i përbashkët ishte se do të priten të dhënat nga dy apo tre ditët e ardhshme dhe pastaj do të merret vendim. Shtoi se si masa shtesë restriktive vlerësohen kufizimet e lëvizjes në kuptim të karantinës për pjesë të caktuara ku ka numër të madh të pacientëve të diagonstikuarve dhe vendosjen e orës policore edhe atë lokale, raportojnë mediet shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Që nga dita e djeshme, një numër i zyrtarëve të shtetit dhe partiakë janë në vetizolim, ndërsa ka edhe pozitiv për COVID-19. Përveç nënkryetarit të LSDM-së, Muhamed Zeqiri, pozitive në testin për koronavirus është edhe drejtoresha e Zyrës së të Ardhurave Publike, Sanja Lukarevska.

Kryeministri, Oliver Spasovski në profilin e tij në Fejsbuk kumtoi se testi që i është bërë për koronavirus është negativ, por se mbetet në izolim shtëpiak derisa t’i marrë rekomandimet nga epidemiologët.

Në vetizolim është edhe zëvendëskryeministrja për Çështje Ekonomike Mila Carovska, mnistri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski dhe këshilltari për marrëdhënie me publikun i kryeministrit Marjan Zabrçanec, pas takimit me Zeqirin. Përveç tyre, kryetarët e komunave të Çairit dhe Butelit njoftuan dje se janë në vetizolim.