Pas publikimeve në media pezullohen tri grantet që ministri Peci ua dha familjeve Pacolli e Huruglica- Po hetohen nga anti-korrupsioni

Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar se janë pezulluar tri grante prej 100 mijë euro e të cilat bën bujë të madhe në publik. Grantet të cilat janë pezulluar ishin dhënë një për vëllain e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli, tjetri për dajën e deputetes Pacolli si dhe një prej tyre për këshilltarin e ministrit Faton…

Lajme

27/11/2024 09:37

Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar se janë pezulluar tri grante prej 100 mijë euro e të cilat bën bujë të madhe në publik.

Grantet të cilat janë pezulluar ishin dhënë një për vëllain e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli, tjetri për dajën e deputetes Pacolli si dhe një prej tyre për këshilltarin e ministrit Faton Peci, Naim Huruglica.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga kjo ministri u tha se Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, gjatë vlerësimit dhe procedimit të lëndës ,sipas legjislacionit në fuqi dhe pa ndërhyrje nga palë të treta, është njoftuar nga mediat lidhur me pretendimet për parregullsi.

E si rezultat i kësaj është kërkuar që të trajtohet çështja nga Agjencia anti-korrupsion.

“Pas aplikimit dhe procedimit administrativ të aplikacionit së bashku me dokumentet përcjellëse të dorëzuara në mënyrë të rregullt nga ana e aplikuesve për përkrahje sipas Programit për Zhvillim Rural, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, gjatë vlerësimit dhe procedimit të lëndës, sipas legjislacionit në fuqi, pa ndërhyrje a rekomandime nga palë të treta, është njoftuar nga mediat lidhur me pretendimet për parregullsi. Si rezultat i këtyre pretendimeve, kemi kërkuar që të trajtohet çështja nga Agjencia Anti-Korrupsion për shqyrtimin e konfliktit të interesit. Po ashtu lëndët e apostrofuara janë në proces të auditimit të brendshëm. Në procedurën administrative kjo është një çështje juridike e pavarur, zgjidhja e së cilës është nën juridiksionin e organeve të tjera dhe është parakusht për zgjidhjen e çështjes kryesore e iniciuar në procedurë administrative”, thuhet në përgjigje.

Nga Ministria gjithashtu u tha se Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka pezulluar përkohësisht procedurën administrative, deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje, nga organet e Agjencisë Anti-korrupsion si dhe për të njëjtën lëndë është kërkuar edhe auditim i brendshëm.

“Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, në mbështetje të nenit 85, të Ligjit Nr. 05/L-031 Për Procedurën e Përgjithshme Administrative ku është përcaktuar se: “1. Kur organi publik që zhvillon procedurën has në një çështje, zgjidhja e së cilës është parakusht për zgjidhjen e çështjes kryesore dhe e cila përbën një çështje juridike të pavarur (në vijim: ”çështje paraprake”), për zgjidhjen e së cilës është kompetente një gjykatë apo organ tjetër, organi publik që zhvillon procedurën do të pezullojë çështjen kryesore, deri sa çështja paraprake të jetë vendosur dhe do të njoftojë palën për vendimin e pezullimit.”, si dhe në Nenin 7 paragrafi 4 të Kontratës për financim, ku është përcaktuar që në çdo kohë, në rast të ndonjë dyshimi, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë mund të suspendojë përkohësisht kontratën dhe pagesat, si masë paraprake. Andaj nga ajo që u deklarua me lartë, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, ka pezulluar përkohësisht procedurën administrative, deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje, nga organet si Agjencia Anti-Korrupsion. Për të njëjtat lëndë është kërkuar auditim i brendshëm”.

Sipas ministrisë, pasi të jetë vendosur për çështjen paraprake, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë do të procedojë me lëndët, konform dispozitave ligjore dhe akteve nënligjore në fuqi.

Ministria e Bujqësisë, e drejtuar nga Faton Peci gjatë muajve të fundit ka qenë në qendër të vëmendjes, por jo për ndonjë zhvillim.

Kjo ministri në fakt ishte në vëmendjen e të gjithëve për “skandalet” që po bëheshin aty. Duke nisur nga punësimi i asistenteve nga partia “GUXO”, nga punësimi i motrave të bashkëpunëtorëve, nga punësimi i miqve e bashkëpartiakëvve. Por duke mos u mjaftuar me kaq në këtë ministri u bën të ditura edhe skandalet e granateve. Nga 100 mijë euro grant ishin “shpërblyer” miqt e kolegëve të ministrit Peci, që padyshim po të mundeshin s’do e bënin fare me zë, në mënyrë që këto grante të jepeshin ku të jetë e mundur.

Ministri Peci ka reaguar duke thënë se ai nuk vlerëson, nuk favorizon e nuk diskriminon. Po ashtu ai tha se nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve.

Pas shumë reagimeve si nga mediat por edhe nga opozita, këto grante tashmë janë pezulluar./Lajmi.net/