Pas Paraticit, edhe avokatët e Juves nën hetim

Gjatë verës thuhej se transferimi i Luis Suarez tek Juventus ishte punë e kryer, kjo pasi që gruaja e futbollistit mbante shtetësi italiane.

Sport

04/12/2020 20:44

Suarez nuk mund të shkonte në Itali pa lejeqëndrim, dhe sipas rregullave të Qeverisë Italiane, që dikush të marrë lejeqëndrimin në këtë vend, duhet të kalojë testin e nivelit B1.

Gjithçka dukej se do të shkonte mirë pasi që gruaja e Suarez fliste italishten, por më pas plasi skandali.

Universiteti i cili mbante testin, kishte njoftuar uruguajanin për përgjigjet dhe u implikuan zyrtarët e tij.

Suarez kishte bërë një gabim gramatikor shumë të thjeshtë, dhe menjëherë u bë e ditur se ai është larg nivelit B1.

Që disa muaj spekulohej për zyrtarët e Juventusit, ndër ta edhe Fabio Paratici, i cili është Drejtor Sportiv i Juventusit, por që autoritet thonin se nuk është implikuar askush në këtë rast.

Sot, klubi i Juventusit konfirmoi se zyrtarët ‘Bianconerë’ janë nën hetime.

“Klubi i Juventusit konfirmon që, sot Fabio Paratici është njoftuar për informacion në lidhje me garancinë dhe të drejtën e mbrojtjes,” u tha në deklaratën e klubit, transmeton lajmi.net.

“Krimi i pretenduar nga Zyra e Prokurorit Publik në Gjykatën e Perugia është ekskluzivisht neni 371 i Kodit Penal”, u tha në komunikatë.

“Klubi përsërit fuqimisht korrektësinë e punës së Paratici dhe është i bindur se hetimet në vazhdim do të ndihmojnë në sqarimin e pozicionit të tij brenda një kohe të arsyeshme”, shkruhej në deklaratë.

Sipas ‘La Stampa’ dhe ‘La Repubblica’ thuhet se avokatët e Juventus, Maria Turco dhe Luigi Chiappero janë gjithashtu nën hetim./Lajmi.net/