Pas Kupës së Botës në futboll, Katari ia mësyn organizimit të Lojërave Olimpike

Katari, që do të organizojë Kupën e Botës në futboll në vitin 2022, ka konfirmuar se do të hedhë kandidaturën për të organizuar Lojërat Olimpike të vitit 2032.

Sport

12/08/2020 10:31

Komiteti Olimpik i shtetit arab ka deklaruar se ka nisur një fazë dialoguese me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), për të mirëpritur eventin e madh olimpik.

Siç dihet, Olimpiada e këtij viti (Tokio 2020) u shty për verën e ardhshme, ndërkohë që Lojërat Olimpike të vitit 2024 do të organizohen në Paris dhe ato të vitit 2028 në Los Anxhelos.

Katari ka nisur të organizojë disa evente madhore kohët e fundit, përfshi edhe botërorin e atletikës një vit më parë.

“Ne po fitojmë nga viti në vit më shumë përvojë në organizimin e eventeve të mëdha në sport. Jemi duke hedhur bazat për organizimin e një Olimpiade”, tha sheiku Joann bin Hamad bin Khalifa al-Thani, presidenti i Komitetit Olimpik të Katarit.

Kjo do të jetë hera e parë në historinë e olimpizmit që një shtet arab organizon një event të tillë.