Pas Kanadasë, edhe Suedia pranon numër rekord të imigrantëve

Agjencia suedeze për migrime njoftoi të martën se numri i kërkuesve të azilit në vitin 2015 do të mund të arrinte numër rekord prej 105,000 imigrantësh.

Bota

04/11/2014 17:18

Shoqëria suedeze duhet të jetë e përgatitur që në vitin 2015 të pranojë 80,000 deri në 105,000 kërkues azili, njoftoi kjo agjenci suedeze.

Sipas pritjeve të agjencisë, pritet që në këtë shtet të kërkojnë azil rreth 95,000 persona.

Numri në rritje është pasojë e një numri të madh refugjatësh, më i madhi nga Lufta e Dytë Botërore, shton agjencia suedeze për migrime.

Sfida më e madhe mbetet sigurimi i strehimit për imigrantët e rinj.

Suedia deri tash numrin rekord të imigrantëve e ka pranuar më vitin  1992, kur nga Ballkani në Suedi shkuan 82,000 refugjatë. Suedia ishte vendi i parë sivjet që iu dha leje qëndrimi të gjithë refugjatëve sirianë.

Nga muaji janar e deri në tetor të këtij viti mbi 68,000 njerëz kanë paraqitur kërkesa për azil, rreth 40 për qind të këtyre ishin sirianë, kurse në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i kërkesave për azil ishte 44,000.