Pas dy vjet neglizhence, “lëviz” Agjencia e Rrezatimit

Inspektorët e Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore pas dy vitesh neglizhencë kanë shkuar në Gjakovë për të shqyrtuar kërkesën e kompanisë “Metal Compani”, e cila kishte trashëguar dy burime të fuqishme radioaktive pas privatizimit të ndërmarrjes “Ereniku”.

Lajme

25/06/2015 08:11

Kështu, pikërisht të mërkurën, ditë kjo kur gazeta “Zëri” raportoi si mbetjet e rrezikshme radioaktive që gjendeshin në hapësirat e ish-ndërmarrjes “Ereniku” të privatizuar nga “Metal Compani” ishin dërguar e stërshitur për mbetje hekuri, derisa Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi ka neglizhuar izolimin e tyre, inspektorët e kësaj agjencie dolën në inspektim në vendin e ngjarjes.

Ky neglizhim ka ndodhur për më shumë se dy vjet, pasi kompania “Metal Compani”, kishte dorëzuar një kërkesë në Agjencinë e Rrezatimit që udhëhiqet nga u.d.kryeshefi Ferki Fejza, ku ndër të tjera kërkohej që të bëhej izolimi i këtyre burimeve radioaktive dhe të rrezikshme.

Inspektorati konfirmon inspektimet në Gjakovë

Një burim brenda Agjencisë për Rrezatim ka thënë se pikërisht ditën kur është publikuar artikulli në gazetën “Zëri”, u.d. kryeshefi, Ferki Fejza, ka urdhëruar inspektorët e Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi që të shkojnë në vendin e ngjarjes. (Zëri)