Pas dy vitesh premtime, fillojnë punimet për ndërtimin e parkut në Arbëri

Komuna e Prishtinës më në fund ka filluar punimet për ndërtimin e parkut në lagjen Arbëria.

Lajme

11/03/2019 14:43

Kanë filluar punimet e para për ndërtimin e parkut të shumëpritur në lagjen Arbëria në Prishtinë, park ky i premtuar nga Shpend Ahmeti që nga viti 2017.

Përmes një njoftimi të Komunës së Prishtinës, bëhet e ditur se parkun dhe fushën sportive në Arbëri do të mund ta shfrytëzojnë banorët e kësaj lagje dhe Kodra e Trimave.

“Punimet për ndërtimin e parkut të ri në Arbëri kanë filluar sot. Parkun me gjelbërim e fusha sportive  do të mund të e shfrytëzojnë banorët e lagjes Arbëria dhe Kodra e Trimave”, thuhet në njoftimin e komunës.

Ndërkaq parku në Arbëri deri më tani ka qenë deponi joformale, në të cilën hidheshin mbeturina. Madje banorët herë pas herë kanë pasur ankesa ndaj komunës për gjendjen në të cilën kishte ardhur ky park.

Aty hidheshin edhe mbetjet spitalore nga sektori privat i shëndetësisë, si dhe mbeturinat infektive për të cilat nuk ka ndonjë vend specifik. /Lajmi.net/