Pas dialogut, ripajtimi historik

Ditmir Bushati thotë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të mbyllet me pajtimin në mes dy kombeve, atij shqiptar dhe serb. Ai shpreh përkushtimin e diplomacisë shqiptare për shtimin e njohjeve për Kosovën.

Lajme

16/11/2013 12:05

Dialogu Kosovë-Serbi duhet të pasohet me procesin e ripajtimit historik shqiptaro-serb.

Këtë e ka thënë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një intervistë dhënë Deutsche Welle’s në shqip.

Shefi i diplomacisë së Shqipërisë ka thënë se vizita e planifikuar e Kryeministrit Edi Rama në Beograd vije në një kohë që dialogu Kosovë-Serbi ka arritur në një nivel të kënaqshëm.

Ai vlerësoi se kryeministri Rama, do ta shfrytëzojë këtë vizitë për të mbështetur bisedimet të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton.

“Beogradi është një kryeqytet shumë i rëndësishëm i rajonit, sa i përket aspektit politik, ashtu edhe atij ekonomik. Gjithmonë do të ketë një herë të parë. Kjo vizitë është në kuadër të vizitave që Rama do të bëjë në të gjitha kryeqytetet e rajonit dhe në këtë rast nuk mund të jemi përjashtues”.

“Në rast se shohim tani historinë e suksesit që mban emrin Bashkimi Europian, baza apo autorësia e këtij suksesi qëndron në marrëdhënien e ngushtë franko – gjermane, duke ndërtuar pas luftës një projekt paqeje dhe sigurie dhe mendoj se e njëjta gjë le të themi në një magnitutë shumë më të vogël nuk ka pse të përjashtohet në rajonin tonë”.

“Kjo vizitë nuk ka të bëjë me dialogun. Dialogu është një proces, i cili zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë përmes baroneshës Ashton si dhe me mbështetjen e aktorëve të tjerë ndërkombëtar, kryesisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jemi të bindur që procesi i normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë do të duhet të pasohet nga procesi i ripajtimit”.

Bushati tha se kabineti qeverisës i kryeministrit Rama, ka filluar nismën e intensifikimit të marrëdhënieve me Kosovën. Ai shprehu përkushtimin e tij, duke thënë se diplomacia e Shqipërisë, do të mundohet me të gjitha forcat të ndikojë në shtimin e njohjeve për Kosovën.

“Besoj se sfidat veçanërisht në fushën e diplomacisë janë të ndryshme në këto dy vende. Ne kemi bashkërenduar punën me qeverinë e Kosovës dhe përgjithësisht me faktorët politikë në Kosovë për të lehtësuar me ato mundësi që kemi procesin e njohjes, i cili është mjaft i rëndësishëm për stadin në të cilën po kalon sot Kosova”.

“E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sa i përket procesit të integrimit europian, ku për shkak të faktit që ne jemi më të avancuar, mund të transferojmë një pjesë të njohurive tona në këtë proces në mënyrë që Kosova të mos përsërisë minimalisht gabimet apo dështimet tona në këtë proces”, ka thënë Bushati për Deutche Welle.

Bushati është duke qëndruar këto ditë, në kryeqytetin gjerman, Berlin, ku ka realizuar takime të shumta me zyrtarët më të lartë të këtij shteti.