Pas dënimit të Gucatit e Haradinajt, Specialja nis hetim “sekret” për rrjedhjen e dokumenteve të tyre

Dhomat e Specializuara i kanë shpallur fajtor ish-udhëheqësit e OVL e UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, për publikimin e dokumenteve të Speciales.

Lajme

19/05/2022 22:34

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, dhe dënim me gjobë prej 100 eurove. Në dënim do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.

Gucati e Haradinaj u shpallën të pafajshëm vetëm për një pikë të aktakuzës, saktësisht pikën 4 “hakmarrje”.

Mirëpo Gjykata Speciale ka kohe që ka filluar një hetim për zbulimin e personit që solli dokumentet në zyrat e OVL UÇK-së.

Këtë e kanë konfirmuar nga Specialja për RTV Dukagjinin.

“Në fjalën e tij hyrëse në fillim të gjykimi të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, Prokurori i Specializuar foli për një “hetim të veçantë, të vazhdueshëm dhe konfidencial”, për vjedhjet e dokumenteve që ju i referoheni. Ky hetim mbetet konfidencial”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Avokati Artan Qerkini thotë se mos gjykimi i personit që solli dokumentet te zyrat e OVL UÇK-së e bënë të mangët edhe gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt.

“Gjykimi mbetet i mangët pasi që nuk dihet prapavija e daljes në publik të këtyre dokumenteve. Një hetim i plotë i kësaj çështjeje se në çfarë mënyrë kanë dalë jashtë kontrollit të Speciales ato dokumente”, deklaroi Qerkini .

Përkundër konfidencialitetit të çështjes, Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se Specialja duhet të jetë transparente në lidhje me hetimet që ka kryer.

“Sigurisht se do të ishte mirë që në një fazë të caktuar Zyra e Prokurorit të Specializuar të japë llogari për hetimet që ka kryer në lidhje me ndriçimin e zbardhjes së rastit të personit që i ka sjellë dokumentet në OVL UÇK. Personat që kanë kryer këtë vepër të vendosen para drejtësisë”, ka deklaruar Kadriu.