Pas afër 8 muajsh në arrati dorëzohet i dyshuari për tentim vrasjen në Graçanicë, Apeli ia zëvendëson masën me paraqitje në stacion Policor

Behar Halili, është dorëzuar në Polici pas 7 muajsh e 28 ditëve në arrati për “Vrasje të rëndë në tentativë”,  e ndodhur më 16 prill 2024 në Graçanicë. Të dyshuar për përfshirje në këtë rast janë edhe Ismet Osmani “Curri”, Amir Osmani (djali i Ismet Osmanit) dhe Mentor Beqiri. Në një përgjigje për “Betimi për…

Lajme

30/01/2025 16:54

Behar Halili, është dorëzuar në Polici pas 7 muajsh e 28 ditëve në arrati për “Vrasje të rëndë në tentativë”,  e ndodhur më 16 prill 2024 në Graçanicë. Të dyshuar për përfshirje në këtë rast janë edhe Ismet Osmani “Curri”, Amir Osmani (djali i Ismet Osmanit) dhe Mentor Beqiri.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi“, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se Halili është dorëzuar më 13 dhjetor 2024 dhe një ditë më pas i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.

“Lidhur me rastin në fjalë ju informojmë se, i dyshuari B.H. me datë 13.12.2024 është dorëzuar në polici dhe se ndaj të njëjtit është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak”, ka bërë të ditur Prokuroria.

Të njëjtit, Gjykata ia kishte vazhduar këtë masë më 10 janar 2025, duke ia ka vazhduar këtë masë edhe për dy muaj tjerë.

Mirëpo, më 17 janar 2025, Gjykata e Apelit këtë masë ia ka zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ndryshe, masa e arrestit shtëpiak për dy muaj i është vazhduar edhe Ismet Osmanit- Currit më 14 dhjetor 2024, i cili po ashtu, pas afër 7 muajsh në arrati pas këtij rasti ishte paraqitur në Prokurori. Kurse, Amir Osmani dhe Mentor Beqiri, gjenden në liri.

Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh më 17 prill 2024, kishte dhënë detaje për rastin e tentim vrasjes, duke thënë se nga një veturë e cila ishte në lëvizje dhe shpejtësi të madhe, është shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture tjetër në lëvizje.

Policia njoftoi se njëri i dyshuar në vendngjarje e ka dorëzuar pistoletën që e kishte me leje, ndërsa janë gjetur pesë gëzhoja nga arma e zjarrit. Rasti ishte iniciuar fillimisht si “Vrasje në tentativë”.

“Graçanicë, 16.04.2024-14:50. Është raportuar se nga një veturë e dyshuar, e cila ishte në lëvizje me shpejtësi të madhe, nga persona të dyshuar është duke u shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture tjetër në lëvizje, dhe pastaj të njëjtat vetura janë aksidentuar në mes veti. Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes ku e ka takuar të dyshuarin mashkull kosovar në afërsi të veturës së tij, i cili vullnetarisht e ka dorëzuar një pistoletë me leje. Njësitet policore të forenzikës në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar 5 gëzhoja nga arma e zjarrit. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në një rast tjetër, Ismet Osmani-Curri bashkë me Sami Nikën, Ilir Bojkun dhe Mentor Maqanin akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”.