Pas 6 orësh përfundon dita e dytë e intervistimit të Thaçit në Hagë

Ka përfunduar dita e dytë e intervistimit të presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara pranë Prokurorisë Speciale në Hagë.

Lajme

14/07/2020 19:12

Edhe sot, njëjtë sikur dje, presidenti Thaçi ka qëndruar për 6 orë brenda Dhomave të Specializuara në intervistim, shkruan lajmi.net.

Pas përfundimit të intervistimit sot, ai nuk ka folur për media por është larguar menjëherë me veturën e tij. Pas intervistimit të djeshëm, ai ka thënë se avokati i tij dhe prokurorit kanë shkëmbyer teknikalitete.

Dje, për ta pritur Thaçin para Prokurorisë Speciale kishin dalur një grup bashkëatdhetarësh që jetojnë në diasporë, ndërsa vet presidenti para se të hynte në intervistim u deklarua se është aty për të mbrojtur Kosovën e lirë dhe të pavarur.

“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim”.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor publikoi propozim-aktakuzën ndaj ish-Drejtorit Politik të UÇK-së Hashim Thaçi dhe ish-kreut të SHIK-ut Kadri Veseli. /Lajmi.net/