Parulla naziste në xhaminë në ndërtim të shqiptarëve

Në kantierin ku është duke u ndërtuar një qendër e besimtarëve myslimanë shqiptarë, në Payerne të kantonit Vaud të Zvicrës, janë vizatuar parulla neonaziste dhe kryqe të thyera, simbole të nazizmit.

Bota

22/04/2014 21:24

Ky është vetëm fillimi, shkruan në njërën nga parullat e vendosura nç kantierin e xhamisë në ndërtim, ndërsa në tjetrën bëhet fjalë edhe për “Natën e kristaltë”, referim ky për aksionin nazist kundër hebrenjve në vitet ‘30 të shekullit të kaluar në Gjermani.

Kryetarja e Komunës Payerne, Christelle Luisier e ka dënuar ashpër këtë akt vandal. Ndërkohë, pronarët e ndërtimit janë duke shqyrtuar mundësinë për të bërë kallëzim penal ndaj personave të panjohur. Edhe kryetarja e Komunës i ka trimëruar ata për ta ndërmarrë këtë hap pasi që, ka thënë ajo, vandalizmi është veprim që gjykohet. 

Qendra e besimtarëve myslimanë ishte planifikuar të hapet gjatë kësaj vere, shkruan gazeta \”La Libertè\”.

Në kuadrin e saj është edhe një dhomë për lutje, ku ka vend për gjithsej rreth 50 persona, transmeton Albinfo.