Partive nuk i kontrollohen financat

Si pasojë e mosfunksionimit të mekanizmave adekuat, partitë politike vazhdojnë të mos deklarojnë qartë prejardhjen e financave të tyre. 

Lajme

14/05/2014 13:53

Partitë politike në Kosovë, vazhdojnë të mbesin të pakontrolluara në aspektin e financave, falë zbrazëtirave institucionale.

Këtë e pranojnë edhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Dy segmentet që shqyrtojnë dhe vendosin rreth raportimit financiar të partive politike, thonë se skemës i nevojitet një mekanizëm shtesë që kontrollon mirëfilli aktivitetet financiare të tyre.

Bazuar në raportet e financave që partitë politike dërgojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kryetarja e këtij organi Valdete Daka, ka thënë për Radio Kosovën se nuk ekziston ende kontroll i mirëfilltë financiar në raport me subjektet politike.

“Aktualisht me ligj jemi njëfarë mbledhësi i raporteve financiare që ua dërgojmë Auditorit. Por, vërehet që ka shumë zbrazëti në mekanizmin e  kontrollit, që duhet t’i  bëjë subjektet politike më llogaridhënëse ndaj publikut”, i ka thënë Daka Radio Kosovës.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deri më tani ka shqiptuar mbi 2000 gjoba për parregullsi ndaj partive politike. Totali i këtyre gjobave ka shkuar në miliona euro. Për, këtë arsye ky organ  konsideron se aktivitetin financiar të partive politike nuk ka kush ta kontrolloj. Mul Desku, nga PZAP thotë se nevojitet një mekanizëm më serioz kontrolli. 

“Këtu mungon një mekanizëm që do të ishte një lloj auditori apo  hetuesi i pavarur që heton çdo aktivitet financiar të partive politike.  Kjo për të ditur se nga po i marrin ato financa , si po i shfrytëzojnë ato, a po i japin llogari ndokujt dhe a po i kalojnë kufizimet ligjore të kuotave për shpenzime”, ka thënë Desku.

Deri më tani Prokuroria e Shtetit sipas koordinatores  Kundër Korrupsionit Laura Pula, nuk ka ndryshuar metodë hetimi të  keqpërdorimeve të mundshme të subjekteve politike. Pula i ka thënë Radio Kosovës se po pritet të nënshkruhet  serish memorandumi që ishte nënshkruar me segmentet tjera në zgjedhjet e kaluara lokale.

Nëse materia e këtij memorandumi do të jetë e njëjtë, atëherë as prokuroria nuk konsiderohet se disponon gjithë mekanizmat që kontrollojnë mirëfilli aktivitet e paligjshme financiare të partive politike.

Megjithatë në këtë betejë shumica e institucioneve po mbështeten tek Qendra e Inteligjencës Financiare, e cila mund të hetoj transaksionet e mundshme të dyshimta të partive politike. 

(rtklive.com)