Partitë të painteresuara për konsulta me presidentin, kërkojnë datë të zgjedhjeve
Të gjitha partitë politike në Kosovë, janë në pritje të ftesës së presidentit Hashim Thaçi për konsultime pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.
Lajme
Javën e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se këtë javë do të fillojë konsultimet me partitë politike.
Mirëpo, partitë politike ende nuk kanë marrë një ftesë të tillë nga presidenti, Thaçi.
Pavarësisht se akoma nuk kanë marrë ftesë, përfaqësuesit e partive politike thonë se do t’i përgjigjen ftesës së presidentit vetëm në rast të caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë për lajmi.net, se partia e tij do të shkojë në konsultime me presidentin dhe se zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë.
“Ne do të shkojmë në takim dhe presim që të ftohemi shpejtë. Tashmë, është e qartë se çfarë veprime priten. Zgjedhjet duhet të shpallen sa më parë”, ka deklaruar Krasniqi për lajmi.net.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk kanë pranuar ftesë mirëpo, siç theksoi ajo, Vetëvendosje do të marrë pjesë vetëm në takimet ku caktohet data e zgjedhjes.
“Jo nuk kemi pranuar ftesën. Ne kërkojmë zgjedhje të jashtëzakonshme sa më parë. Nuk marrim pjesë në takime për ndonjë mandatar apo ndonjë qeveri teknike. I vetmi takim që marrim pjesë është takimi për caktimin e datës së zgjedhjeve”, deklaroi Haxhiu për lajmi.net.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë për lajmi.net, se ky subjekt politik me kohë ka kërkuar nga presidenti Thaçi që takimet konsultative të përfundojnë sa më herët.
“Jo ende nuk kemi marrë ftesë nga presidenti. Natyrisht që ne do të marrim pjesë dhe ne kemi insistuar që ky takim konsultativ të përfundojë sa më herët”, ka deklaruar Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së.
Edhe partia e kryeministrit të dorëhequr, Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do t’i përgjigjet ftesës së presidentit.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar për lajmim.net, se presidenti e ka obligim që t’i thërras partitë politike dhe të caktojë datën e zgjedhjeve
“Ende nuk kemi marrë ftesë. Normalisht që presidenti e ka obligim edhe kushtetues që t’i thërras përfaqësuesit e partive politike në mënyrë që të ketë një marrëveshje për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në momentin e marrjes së ftesës do t’i përgjigjet”, deklaroi Isufi.
Bilall Sherifi, shef i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, ka deklaruar për lajmi.net, se presidenti Thaçi duhet të caktojë datën e zgjedhjeve pasi që asnjë subjekt politik nuk është i interesuar për një qeveri teknike.
“Ne ende nuk kemi marrë ftesë. Në parim, Nisma ka vendosur që kushdo që bart një institucion kushtetues dhe ka mandat për të ftuar partitë politike për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve, do të shkojmë në konsultime. Në këtë rast, presidenti zotëri Thaçi ka mandat kushtetues të caktojë datën pas konsultimit me partitë politike. Nëse askush nuk arrin që të bind presidentin që ka një shumicë, atëherë duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt që është e mundur. Siç po shihet askush nuk është i interesuar që ky mandat të vazhdojë deri në fund pra askush nuk është i interesuar që të bëj një qeveri që do ta çonte mandatin e regjistraturës deri në fund, por presidenti duhet të ftojë partitë politike”, ka deklaruar Isufi për lajmi.net.
Në anën tjetër, nga partia e Shpend Ahmetit, PSD, nuk janë deklaruar nëse do të marrin pjesë në takimin që pritet ta thërrasë presidenti Thaçi.
Natyra Kuçi, zëdhënëse e PSD-së, ka thënë për lajmi.net, ky subjekt politik është në pritje të ftesës së presidentit Thaçi.
“Nuk kemi marrë ftesë nga presidenti. Jemi në pritje të saj. Nuk kemi si ta dimë se kur do të mbahet dhe as detaje të tjera lidhur me këtë ftesë”, deklaroi Kuçi.
Edhe në partinë e Behgjet Pacollit, AKR, kanë thënë për lajmi.net, se do t’i përgjigjen ftesës së presidentit.
Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka deklaruar se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për dalje nga kjo situatë politike aktuale që gjendet Kosova.
“Ende nuk kemi marrë ftesë. Po normalisht që do të shkojmë në konsultime me presidentin sepse ne të gjithë jemi për gjetjen e daljes nga kjo situatë dhe të gjitha partitë janë duke e parë si zgjidhje të vetme shkuarjen në zgjedhje. Andaj është mirë që të shkohet te presidenti dhe të merret vesh për afatet kohore dhe për të gjitha procedurat. Pa një bashkëpunim nuk mund të dilet nga situata. Sido që të jetë AKR është institucionaliste dhe ne i respektojmë institucionet”, ka deklaruar Makolli për lajmi.net.
Theksojmë se partitë politike në vend janë duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme që nga 19 korriku, kur Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit pasi që është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit. /Lajmi.net/