Partitë politike s’kanë demokraci të brendshme

Në një hulumtim të bërë nga D4D thuhet se PDK, LDK dhe AAK kanë një profilizim kah qendra e djathtë ndërsa Vetëvendosje është profilizuar si e majtë.

Lajme

20/12/2013 14:48

Për shkak të mungesës së debatit dhe demokracisë së brendshme partitë politike nuk kanë një pozicion të qartë sa i përket aspektit ideologjik.

Kështu është thënë në një debat të organizuar të premten me temë  “Kompasi politikë i Kosovës-Paraqitja në Hartë”.

Demokracia për  Zhvillim në bashkëpunim me FES(Friedrich Ebert Stiftung), kanë paraqitur  hulumtimin me emër “Busulla Ideologjike e Kosovës” për të cilin kanë diskutuar përfaqësues të partive politike analistë politik dhe profesorë.

Në hulumtimin e  bërë del se asnjëra nga partitë nuk është ekstreme por janë afër qendrës në të majtë apo të djathtë.  PDK së bashku me LDK`në dhe AAK`në janë radhitur si parti me profilizim kah qendra e djathtë, ndërsa VV si parti e nga qendra e majtë.

Përfaqësuesi i PDK`së,Hydajet Hyseni, ka thënë se pikërisht mungesa e një debate të brendshëm politik brenda partisë së tij, ka bërë që ai të largohet nga strukturat e PDK`së.

“Unë kam refuzuar të marrë pjesë në Kuvendin e PDK`së dhe me këtë jam tërhequr nga strukturat e PDK`së dhe e them për herë të parë në letrën që i kam dërguar udhëheqjes së PDK`së, kam shprehur disa arsye”.

“Arsyeja kryesore ka qenë pikërisht profilizimi i partisë nga profili që kishte, kryesisht e qendrës së majtë me një profil në të djathtë”.

“Nuk mund të pajtohesha edhe parimisht me mënyrë si bëhej kjo pa një debat brenda partisë. Ajo që i mungon është një kriter me të cilin, ndoshta duhej matur partitë politike në Kosovë funksionimi demokratik”.

Anëtari tjetër i AAK`së Besnik Tahiri, ka folur për pozicionimin e partisë së tij. Ai gjithashtu ka thënë se partia e tij qëndron për një qeverisje të vogël më raport me tregtinë.

“Në shumicën e pikave qëndrimi ynë është goxha i saktë, në raport me qendrën e djathtë”.

“Si subjekt politik i qendrës së djathë, AAK e ka një pozicion relativisht të qartë, se cili është roli i shtetit në këtë rast i Qeverisë në zhvillim dhe cili është roli i njeriut në zhvillim”.

“Ne qëndrojmë për një qeverisje më të vogël, ne qëndrojmë që është më e limituar dhe me liberale në raport me tregtinë dhe me atë që u than ë raportin e taksave”.

Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka lavdëruar raportin por ka thënë se do të ishte më i dobishëm, nëse do të përfshinte edhe dy shtylla tjera.

“Besoj që një hulumtim i tillë është i domosdoshëm dhe do të ishte edhe më i dobishëm, nëse ky hulumtim do të kishte dhe dy shtylla tjera të bashkangjitur përveç intervistave”

“E para është program politik dhe alternative qeverisëse si një pikënisje. E dyta do të ishte historiku i votës në Kuvend. E treta është perceptimi i akterëve brenda subjekteve të emëruara si liderë karshi pyetjeve që janë paraqitur në hulumtim”.

“Pra, shteti  zhvillimor i përkufizuar në dy fjali, sipas alternativës sonë qeverisëse është një shtet i cili e kupton që ekonomia vetvetiu zhvillohet”.

Analisti politik, Agron Bajrami, ka thënë se për dy partitë më të mëdha në vend problemin më të madh e kanë tek funksionimi i demokracisë së brendshme.

“Dy partitë më të mëdha e kanë problemin më të madh në këtë demokracinë e brendshme sepse nuk kanë prodhuar debate të cilat do të prodhonin përkrahje për një vizion një ideologji një profilizim të caktuar.

“Për këtë arsye e shohim shpesh se edhe brenda LDK`së edhe brenda PDK`së qarje të cilat rrjedhin në momentin kur interesat nuk përputhen ndërkohë që nuk ekziston debate për të gjetur një të përbashkët te të gjithë ata njerëz të cilët gravitojnë në atë parti”.

“Mungesa e demokracisë së brendshme partiake është pengesa në profilizimin e këtyre partive në profilizimin substancial dhe të brendshëm”.