Partitë politike: Ndryshimi i kufirit, ide që nuk negociohet

Partitë politike, të cilat po garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, thonë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, por asnjëra nga to nuk do ta marrë në konsideratë idenë për ndryshim të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si opsion i zgjidhjes së kontestit ndërmjet dy vendeve.

Lajme

21/09/2019 18:05

Për më shumë, shumica e këtyre partive thonë se lidhur me këtë çështje kanë shprehur edhe me herët qëndrime të qarta se janë kundër kësaj ideje dhe se, sipas tyre, këto qëndrime nuk do të ndryshojnë edhe nëse e marrin pushtetin për të qeverisur me vendin.

Zëvendëskryeministri në largim i Kosovës, Enver Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që subjekti politik të cilit i takon, do të angazhohet për dialogun me Serbinë, për të përmbushur interesat strategjike të Kosovës, siç janë njohja e ndërsjellë me Serbinë dhe anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, sipas tij, për ndryshim të kufirit nuk do të pranojë të flitet fare.

“Ne mendojmë që duhet të mbyllet shtet-ndërtimi i Kosovës brenda këtyre kufijve dhe brenda këtij territori. Ky është pozicioni i Partisë Demokratike të Kosovës. Por, ne i besojmë dialogut dhe mendojmë që në dialog do të arrijmë që t’i përmbushim interesat dhe pritjet që i ka Kosova. Nuk mendoj që Kosova do ta bëjë dhe nuk do të lejojmë në asnjë formë të ketë asnjë kompromis të ri në raport me Serbinë. Ajo se ku mund të shpërblehet Serbia, mund të jetë se çfarë i ofron Bashkimi Evropian, përmes integrimit evropian dhe jo dikush tjetër”, tha Hoxhaj.

Ai ka shtuar se varianti i vetëm në të cilin mund të flitet për kufirin, është çështja e demarkacionit me Serbinë, si proces teknik, por vetëm pasi që kjo e fundit ta njohë Kosovën si shtet në kufijtë ekzistues.

Qëndrim refuzues karshi idesë së ndryshimit të kufirit ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Anëtari i kryesisë së këtij subjekti politik, Kujtim Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk do ta marrin fare në konsideratë mundësinë për tu negociuar tema e ndryshimit të kufirit.

Demarkacionin e kufirit e shohin vetëm si proces teknik, pas njohjes së Kosovës në kufijtë ekzistues nga Serbia.

“Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga LDK-ja, nuk do të pranojë asnjëherë që të diskutojë për një çështje të tillë, në asnjë rast. Kufijtë e Kosovës janë përcaktuar, janë të njohur dhe të qartë, të njohur edhe ndërkombëtarisht. Ndërkaq, procesi i demarkacionit është vetëm proces teknik dhe nuk ka të bëjë fare me territoret. Do të thotë është një proces, përmes të cilit shënohet kufiri që kemi, kufiri ekzistues. Në këtë rast me Serbinë do të bëhet si edhe me vendet tjera”, tha Shala.

Rexhep Selimi, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për Radion Evropa e Lirë shpreh mendimin që detyrë parësore e cilësdo qeveri në vend, është ruajtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit. Kjo sipas tij është edhe detyrë e qeverisë së ardhshme, të cilën e synon Lëvizja Vetëvendosje.

“Çfarëdo lloj marrëveshje që vjen në kundërshtim të Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit, normalisht që as që duhet dikush ta mendojë që ta bëjë, ta realizojë, ta ratifikojë e aq më tepër që ta draftojë. Është e qartë që në mbrojtje të Kushtetutës, të rendit kushtetues, të sovranitetit dhe integritetit, pra ne nuk do të duhej të bënim hapa të tillë, që deri më tash janë vetëm pjesëza ose copëza të disa takimeve në mes (presidentit të Kosovës, Hashim) Thaçit dhe (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit”, tha Selimi.

Ai ka shtuar se duhet të ekzistojë një itinerar i temave që kanë të bëjnë me kufirin ndërmjet dy vendeve, por para së gjithash duhet të ketë njohje ndërmjet tyre. Sipas tij, në radhë të parë ky kufi duhet të ekzistojë dhe të njihet prej të dy vendeve, si dhe pastaj të bisedohet eventualisht për demarkacion të kufirit ndërmjet tyre.

Ahmeti Isufi, nënkryetari Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila përzgjedhjet e 6 tetorit do të garojë në koalicion me Partinë Socialdemokrate, ka thënë se ky koalicion as që do të merret fare me idenë e ndryshimit të kufirit.

“Kosova është në kufijtë e saj, nga pavarësia që është shpallur me 17 shkurt 2008 dhe absolutisht nuk merret me temën e kufijve. E vetmja temë, me të cilën do të merret Kosova në dialog, sipas Qeverisë Haradinaj, është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, pa të cilën nuk ka asnjë temë që mund të shtrohet. Pas njohjes që mund të ndodhë nga ana e Serbisë, duhet të bëhet edhe demarkacioni i kufirit(si proces teknik)”, u shpreh Isufi.

Sidoqoftë, ideja për ndryshim të kufirit, si zgjidhje e mundshme e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë , pati dalë në pah në qershor të vitit 2018.

Në fund të muajit gusht të po atij viti, dy protagonistët kryesorë të dialogut Kosovë-Serbi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë Alakdandar Vuçiq, në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, patën elaboruar në pika të shkurta idenë që marrëveshja të përfshijë edhe ndryshimin e kufirit, e cila, më pas, nga presidenti Thaçi u quajt si ‘korrigjim i kufirit’, ndërkaq nga presidenti Vuçiq si “përcaktim i kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”.