Partitë politike hapin fushatën zgjedhore, çka thanë kandidatët për kryeministër?

Sot ka nisur edhe zyrtarisht fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Partitë politike në orët e mbrëmjes kanë hapur fushatën zgjedhore duke kërkuar votën e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje hapjen e fushatës e ka bërë në sallën “Shani…

Lajme

11/01/2025 22:36

Sot ka nisur edhe zyrtarisht fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Partitë politike në orët e mbrëmjes kanë hapur fushatën zgjedhore duke kërkuar votën e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje hapjen e fushatës e ka bërë në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë. Atje Vetëvendosja prezantoi me sloganin “Cep më Cep”. “Kurrë nuk do t’ju gënjej as zhgënjej”, tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në hapjen zyrtare të fushatës së partisë së vet.

Kurti e nisi fushatën duke goditur PDK-në dhe LDK-në. Ai gjatë fjalimit për këto dy parti, ka thënë se “vendit i kanë bërë dëmin më të madh me fqinjin më të keq”.

“Njëra prej këtyre partive LDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë razumem e partia tjetër PDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë ‘we are not problematic guys’. Por koalicioni jonë i thotë atij qysh është, ministër i Millosheviqit, aparati shtetëror i të cilit nuk do të ketë vend sepse do ta ndjekim në çdo kënd cep më cop në republikën e pavarur e progresiste të Kosovës”, ka thënë ai.

“Kosovën e pavarur, e bëmë edhe të pavarur nga korrupsioni dhe pazaret me Serbinë. Prandaj në këtë punë tonë fisnike, në këtë mision të madh kombëtar, kemi nderin dhe kënaqësinë të ju shërbejmë juve, popullit tonë”, tha Albin Kurti.

Kurti më tej tha se synon edhe katër vite të tjera në krye të qeverisë, ku sipas tij, do të jetë qeverisje edhe me laps edhe me gomë.

“Ne kemi edhe gomë edhe laps. Goma e fshin korrupsionin kurse lapsi e shkruan zhvillimin. E, për këtë qeverisje edhe me laps për zhvillim edhe me gomë kundër korrupsionit, 9 shkurti është data, e diel është dita, Kosova është shteti, shteti është Republika, shkolla është vendvotimi, me zemër është vota, 118 është numri, e jona është fitorja”, tha Kurti.

Ndërkaq, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, fushatën zgjedhore e hapën partitë opozitare PDK dhe LDK.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në tubimi në sallën “1 Tetori”, tha se është i bindur që pas 9 shkurtit, Kosova do ta ketë një Kuvend, por edhe një Qeveri të re.

Ai tha se një Kosovë më e mirë është e mundur dhe kjo tha Krasniqi, do të bëhet me programin e PDK-së.

“Pas një muaji do ta zgjedhim një Kuvend të ri e Kosova do ta ketë një qeveri të re, që ju qytetarët do ta përcaktoni. Jam i bindur se ky do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve – një qeveri e re. Besoj se Kosova meriton dhe mundet më të mirë, një Kosovë ku çdo qytetar do të jetojë me dinjitet, krenari e me shumë mundësi. Një Kosovë më e mirë është e mundshme, këtë do ta bëjë Bedri Hamza me ekipin e tij. Ne ofrojmë një plan konkret, një program të detajuar e realisht të realizueshëm, i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Kjo është arsyeja pse zgjodhëm Hamzën që ta na prijë në këto zgjedhje. Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot. Jam i bindur që Kuvendi dhe Qeveria e re janë shumë më të mira se këto që i kemi sot. Ju dhe unë e dimë se rrugëtimi ynë nuk ka qenë fare i lehtë, kemi kaluar nëpër sfida, por kemi mbijetuar të gjitha furtunave. Asnjë parti tjetër nuk do të arrinte të mbijetonte në rrethana të tilla”, tha Krasniqi në hapjen zyrtare të fushatës së PDK-së.

Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza është zotuar për rritje të pagave dhe pensioneve, zhvillim ekonomik, siguri energjetike, sigurime shëndetësore, arsim cilësor, si dhe kultivimin e raporteve të mira me aleatëve.

“Kemi shumë shembuj të qytetarëve që e kanë vendosur Kosovën të parën. E kanë vendosur Kosovën edhe para vetes. Gjatë kësaj fushate, kam pasur nderin të takoj shumë heronj të përditshmërisë tonë. Kam takuar burra, që me duar të plasaritura sigurojnë bukën e përditshme. Nëna që me forcë të pashtershme i mbajnë familjet. Kam takuar të rinj të talentuar, gjithandej Kosovës, të cilët me energji të madhe punojnë për një të ardhme ma të mirë. Janë këta njerëz, forca e heshtur e Kosovës, ata që më inspirojnë. Ata më bindin se mund ta ndërtojmë një Kosovë, ku çdo sakrificë shpërblehet. Ky vizion për një Kosovë ma të mirë, ku secili qytetar përparon, nuk është një ëndërr. Është premtim. Një premtim për çdo familje, çdo të ri e të re, çdo të moshuar, që do të punoj pa u ndalur për t’ua përmirësuar mirëqenien në shtetin tonë. Po, Kosova mundet ma mirë”, tha Hamza.

Hamza u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të zhgënjyer që në të kaluarën e kanë votuar partinë në pushtet të besojnë përsëri, sepse siç ka thënë Kosova mundet ma mirë.

“Dua t’ju drejtohem edhe atyre që në të kaluarën e kanë votuar partinë në pushtet. Atyre që e kanë humbur shpresën dhe ndihen të zhgënjyer ose të lënë pas dore. Shumë prej jush, para katër vitesh, me mirëbesim, votuat për ndryshim. Por, tani keni mbetur të zhgënjyer nga premtimet e thyera dhe fjalët që nuk u mbajtën. Unë mund të flas shumë për dështimet e shumta të kësaj qeverie gjatë katër viteve të fundit. Për stagnimin ekonomik, për izolimin ndërkombëtar, për përkeqësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë, për ngritjen e çmimeve e shumë dështime të tjera me pasoja të mëdha për shtetin dhe juve. Por, sot e konsideroj shumë më të rëndësishme që t’ju shikoj në sy secilin prej jush dhe t’ju kërkoj të besoni përsëri”, theksoi Hamza.

Ndërkaq, kandidati për Kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka hapur fushatën zgjedhore me një tubim në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku iu drejtua të pranishmëve me tone të shpresës për ndryshim, duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e Kosovës.

Kryetari i LDK-së tha se ky tubim shënon fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën dhe një moment të rëndësishëm për historinë e popullit të saj, në atë që ai e quajti “kryengritjen e djathtë kombëtare – si thirrje monumentale e popullit të Kosovës!”

Sipas tij, ndryshimi i shumëpritur do të nisë pikërisht nga ky tubim dhe do të përfundojë me një fitore të madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Sonte, shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën! Sonte shënojmë një moment definues të historisë së popullit tonë! Sonte, shënojmë kryengritjen e djathtë kombëtare – si thirrje monumentale e popullit të Kosovës!

Dhe ju them, ju premtoj, zotohem, se çfarë kemi nisur sot këtu, do të kushtrojë fort e do të mbahet në mend gjatë, jo vetëm gjatë këtij muaji elektoral, por do të kushtrojë fort e gjatë, për gjenerata të tëra që do të vijnë pas. Do të shikojmë me mburrje në këtë 11 janar, e do të kuptojmë, se ndryshimi i shkurtit nisi mu në këtë sallë! Nga kjo sallë LDK është ngritur në këmbë! Është ngritur në këmbë për t’u mos u ndalur”, deklaroi Abdixhiku.

Abdixhiku, ka premtuar se qё nё javёn e parё tё gjithё shёrbyesve civil do tё ua rrisin pagёn me koeficient 150 euro.

“500 milionё euro invesim pёr centralim me gaz amerikan. Për të gjithë qytetarët tanë, që bredhin për shërim nëpër botë, për të gjitha familjet tona, këtu në Kosovë, do të ndërtojmë Spitalin e Ri të Kosovës, me plot 500 milionë euro investim në të. Spital i ri, lokacion i ri, ndërtesa të reja, pajisje të reja, shëndetësi moderne siç e meriton vendi jonë bukur e përrallor”, tha ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka njoftuar se fushatën do ta hapë nesër, në një tubim në sallën “1 Tetori” në kryeqytet.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.

Në fletëvotim, qytetarët do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Ky është një ndryshim pas miratimit të Ligjit të ri për zgjedhjet. Në të kaluarën, qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë.

Secila parti e certifikuar mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore.

Nga këto lista do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit – në orën 07:00 – dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit. Pra, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.