Partitë po bëjnë shkelje, PZAP po hesht
Qeveria qendrore dhe qeveritë lokale po shfrytëzojnë hapësirat publike për të bërë propagandë partiake që nuk dallon shumë nga fushata, ka thënë të mërkurën Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Lajme
Gjatë një konference për media me temën ‘Ecuria e deritanishme e procesit zgjedhor 2014’, Korenica tha se është i gabueshëm argumenti se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nuk mund të ndalë aktivitet e partive politike që po bëjnë përpara nisjes së fushatës zgjedhore.
“Qeveria e Kosovës ka keqpërdor resurset shtetërore duke shfrytëzuar hapësirat publike për fushatë zgjedhore. Po ashtu, të njëjtën gjë kemi vërejtur që po bëjnë edhe qeveritë në nivelin lokal. Institucionet publike në këtë rast edhe qeveria edhe institucionet lokale kanë pas një tendencë që të shfrytëzojnë edhe militantët partiak, por edhe hapësirat publike, për të shfrytëzuar një proces propagandistik që në thelb është fushatë”, tha Korenica.
Koernica ka thënë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nëse do, mund t’i sanksionojë partitë për shkelje ligjore.
“PAZP nuk duhet që ta interpretoj vetëm tekstin e ligjit, por duhet që t’i bëjë interpretim edhe frymës së ligjit. Dhe fryma e Ligjit e tregon që në periudhën kur dekretohet dita e zgjedhjeve deri në fillimin fushatës parazgjedhore, nuk guxon të këtë aktivitete propaganduese që i referohen ditës së zgjedhjeve, sepse një gjë e tillë është fushatë zgjedhore dhe në rastin konkret ajo nuk lejohet para datës 28 maj”.
Albana Merja, udhëheqëse e këtij monitorimi, ka thënë se partitë politike po shkelin edhe transparencën financiare.
“KQZ ka vendosur një kufi për shpenzime për kohën e fushatës, e që është 890 mije euro. Por të gjitha këto shpenzime për aktivitetet që po bëhen tani përpara fillimit të fushatës, nuk hyjnë tek shpenzimet e lejuara, dhe kështu po shkelet edhe pjesa e transparencës financiare”.